AKU është institucioni që duhet të garantojë sigurinë ushqimore në vend, por nuk janë të pakta rastet kur pikërisht ky institucion vë në rrezik jetën e qytetarëve duke heshtur para abuzimeve te subjekteve private.
Raporti i KLSH-së ka treguar në mënyrë të detajuar se si inspektorët e AKU-t kanë favorizuar subjektin “Coca- Cola” në një varg shkeljesh, teksa kanë kryer procedurat për asgjësimin e tonelata pijeve të skaduara .
Më konkretisht, në raportin e KLSH-së theksohet se në procedurën e asgjësimit të pijeve të skaduara mungon procesverbali i rregullt i asgjësimit që duhet të ketë nënshkrimin e Inspektorëve të Mjedisit, Inspektorëve të Tatimeve dhe Inspektorëve të AKU-t.
Shqetësim tjetër i ngritur nga KLSH-së është fakti se mungojnë fotot e vendit ku janë asgjësuar produktet.
Njëkohësisht mungon fletëdalja e subjektit, për efekt të shkarkimit nga magazina të produkteve të asgjësuara.
Ky është dokument vërtetues dhe bazë që fakton daljen nga magazina e produkteve të skaduara.