Gjykata e Posaçme ka lënë nën sekuestro vilën në pronësi të Monika Kryemadhit ndërsa i ka kthyer pronën nënës së saj, Fatime Kryemadhi.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi që u paraqit sërish sot në ambientet e GJKKO, ashtu si edhe ditën e djeshme me një bastun në dorë tha se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Këtë proces gjyqësor ndaj saj, Kryemadhi e konsideron një “hakmarrje sa i përket Inceneratorit të Tiranës”.
“Është hakmarrje, por patjetër nga ana ime duhet durim e konsistencë. Ka edhe një avantazh, unë futem çik edhe pa radhë se mamaja ime në Gjykatën e Strasburgut.
Unë kam jetuar gjithmonë me mamanë time. Ndoshta se shqiptarët edhe nuk e mbajnë mend, kur kam ngelur shtatzënë me vajzën time të parë, ne s’kemi qenë as të fejuar e as të martuar me Ilir Metën.
Ne ishim të dy si dy të rinj që ça fluturon hahet. Më hapi derën e shtëpisë, më dha dy dhoma që ne të jetonim me Ilir Metën. Më pas mua m’u sëmur babai dhe ajo kishte nevojë për mua. Ne kemi jetuar bashkë që nga ’98-a”, tha Kryemadhi.
GJKKO ka caktuar ndaj Monika Kryemadhit masës e sigurisë ‘detyrim paraqitje’, ndërsa po hetohet nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.