Mbrapa dyerve të mbyllura në Moskë, Kiev, Bruksel, Uashington dhe kryeqytetet e tjera, diplomatët, liderët e zgjedhur dhe oficerët ushtarakë janë duke u përgatitur për një shtytje të fuqishme për ta gjetur një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në fushëbetejë, përparësia tani është bindshëm në anën e Rusisë, sepse forcat e saj janë duke i shtypur trupat ukrainase përgjatë vijës së frontit 1.100 kilometra të gjatë. Ushtria ruse po e dërrmon infrastrukturën energjetike të Ukrainës, në përpjekje për ta lënë në terr dhe për ta mërdhirë një popull të tërë.
Në dhomat e Perëndimit për bisedime ka ndryshuar ndjesia dhe tani ka një përpjekje vendimtare për zgjidhjen e një konflikti i cili i ka lënë të vdekur apo plagosur më shumë se 1 milion burra nga të dyja palët gjatë 34 muajve të fundit.
Askund nuk është më i qartë ky ndryshim sesa në zgjedhjen e Donald Trumpit, i cili, madje edhe para se ta marrë detyrën në janar si presidenti i ardhshëm amerikan, ka ngulur këmbë se do ta gjejë një mënyrë për t’i dhënë fund luftimeve “brenda 24 orëve”.
“Ka shumë bisedime, shumë zhurmë se disa bisedime për paqe janë të pashmangshme”, tha më 12 dhjetor Rosa Balfour, drejtoreshë në organizatën Carneigie Europe me bazë në Bruskel.
“Ne nuk e kemi ndonjë plan vërtet. Duket se akoma askush nuk ka plan. Dhe, natyrisht, gjendja në terren nuk i leverdis Ukrainës tani, prandaj gjendja është shumë e vështirë”, shtoi ajo.