Sali Berisha siguroi sot demokratët se nuk do të hiqet dorë nga kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor për Portin e Durrësit. Ai tha se Rama është takuar me grupet kriminale në Dubai për këtë çështje.
“Ky kuadër, këto vendime për Portin e Durrësit përbëjnë aktualisht aktin më madhor të korrupsionit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe Europë. E vështirë të gjesh një aferë multi-miliardëshe siç është kjo, ku toka dhe uji që merren mund të kushtojnë mbi 2 miliardë, ku ndërtimet 12.600 apartamente me 6 hotele luksoze, pishina, etj, që të gjitha pasuri e grupeve kriminale të Dubait, me të cilat, siç dëshmoi gazetari investigativ Artan Hoxha, Edi Rama ka bërë takim të veçantë gjatë vizitës së tij në Dubai me temë investimet e tyre në Durrës.
Mos harroni se vetëm Franc Çopja, sipas dosjeve Metamorfoza, njëri prej tyre është ky, nga Elbasani, thuhet se ka transferuar në bankat e Europës 3 miliardë euro. E them këtë për të kuptuar sa e pakufishme është paraja e tyre. Pra, Edi Rama u zotua se do bënte amnistinë, dhe pasi BE dhe SHBA i nxorën kartonin e kuq, ky u tërhoq nga amnistia dhe bëri pastaj takimin e fshehtë në Dubai me zotimin se ata do ndërtojnë parajsën e tij dhe të Alabarit në Durrës. Kjo është e vërteta” tha ai.