Tjetër denoncim për Onkologjikun në QSUT. Gazetari Osman Stafa ka publikuar rastin e vogëlushit 2 vjeçar të diagnostifikuar me tumor dhe prej 10 ditësh është pa asnjë lloj trajtimi. “Po të gjendet ilaçi, e lufton 75% të sëmundjes që ka fëmija. Kur nuk gjendet ilaçi, mjekohet me një tjetër por ulet mundësia e shërimit.
Unë si nënë ndihem shumë e zhgënjyer prej shtetit tonë sepse as këtë medikament nuk e siguron për fëmijën, atëherë si të rrimë ne këtu?”- u shpreh nëna e vogëlushit. Ajo i bëri thirrje edhe kryeministrit Edi Rama dhe ministres Albana Koçiu që të ndërhyjnë për të siguruar ilaçet themelore për mbijetesë.
Postimi i plotë i Osman Stafës:
ËSHTË VETËM 2 VJEÇ VUAN NGA KANCERI!
ÇFARË FAJI KA KY VOGËLUSH QË NUK KA KIMIO NË SPITAL?
ÇFARË MËKATI KA BËRË KY DJALË QË SHTETI SHQIPTAR, MINISTRIA E SHËNDETËSISË, NUK I MUNDËSON KIMIOTERAPINË?
DUHET TË KISHTE NISUR TRAJTIMI I TIJ ME KIMIO.
DJALI PO HUMBET KOHË TË VYER, PËR TË LUFTUAR PËR SHANSET E TIJ.
PREJ GATI 10 DITËSH, ËSHTË PA TRAJTIM.
MBAHET ATY NË SPITAL, PA DITUR ÇDO BËHET ME TË. KA NEVOJË PËR MEDIKAMENTIN “ACTINOMYCIN D”.
A NUK ËSHTË KJO KRIMINALE?
A NUK ËSHTË VEPËR PENALE?
Ministre e Shëndetësisë Albana Koçiu shko takoje djalin, e ke tek Pediatria Onkologjike, shko thuaji nënës së djalit se kur do të vijë ilaçi.
Kryeministri Edi Rama, kërkojini mikes suaj, Kryeministres Italiane, t’u bëj një nder e t’u japë mjekimin për këtë djalë, se Italia e ka. Është urgjent rasti i këtij djali. Kërkoni informacion, se mjekët e dinë sesa e fortë është sëmundja që po përballet ky fëmijë.
p.s Ju lutem, kush i njeh, tua nisin këtë post Prokurorit të Tiranës, Hysni Mulaj,
Gjyqtarit të Shkallës së Parë, Albert Meça, si dhe Gjyqtarit të Apelit, Dritan Hasani.
Ja pasojat e vendimeve tuaja.
Po të hetohej, dhe të viheshin përpara përgjegjësisë përgjegjësit, kjo situatë s’do ishte e tillë më.
Ky është një ndër rastet e shumta të denoncuara kur mungojnë ilaçe thelbësore për të mbajtur në jetë njerëzit e sëmurë me tumor.