Efektivët e RENEA-s mësyn ditën e sotme me urdhër të SPAK në zyrat e Bashkisë së Lushnjes. Nga ky operacion i madh u arrestuan 11 persona përfshirë Fatos Tushe, Kryebashkiaku i qytetetit. Personat e arrestuar janë zyrtarë të ndërmarrjes së pasurisë publike në Bashkinë Lushnje, ku përfshihet si i arrestuar edhe drejtori i kësaj ndërmarrje Flamur Peqini, i dyshuar edhe ky për shpërdorim detyre dhe për shkelje të barazisë të pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike.
Fatos Tushe akuzohet për korrupsion në një tender me vlerë 24 milionë lekë, për ndërtimin e kanalit vaditës në rrethinat e Lushnjes. Mësohet se hetimet për këtë aferë kanë nisur në 2020, mbi bazën e një referimi të ardhur nga policia gjyqësore, ku dhe ka rezultuar se më 31 gusht 2020 është hapur dhe fondi për rehabilitimin e kanalit ujitës me fond limit 23 251340 lekë pa tvsh.
Në garë kanë qenë disa kompani, por sipas SPAK ka rezultuar se në shpërdorim të hapur të detyrës, kryebashkiaku Tushe dhe vartësit e tij, ia kanë dhënë këtë tender kompanisë “Euroalb” shpk, ndonëse ka pasur ofertën më të lartë dhe duke shkelur barazinë për operatorët e tjerë . Kanë qenë operatorët e tjerë të skualifikuar nga ky tender, të cilët kanë bërë ankesë, dhe më pas është zbuluar rasti i shpërdorimit të detyrës.
Mes 11 të arrestuarve, sëbashku me kryebashkiakun Fatos Tushe janë edhe dy administratorët e kompanive. Ibrahim Lami, administrator i kompanisë Loti shpk dhe Bujar Murati, administrator i kompanisë Euro Alb shpk. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprën penale, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shkelja barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Komapnia Euro Alb ka fituar në tetor 2020, tenderin për “Rehabilitimi i kanalit ujitës U3-27, V-1/1, në fshatin Bishqethem dhe Bitaj, Nja Kolonjë”, me vlerë 24 milionë lekë. Së bashku me ‘Euro-Alb’ kanë qenë edhe dy kompani të tjera në garë, por duke qenë se ajo ka futur dokumente të falsifikuara për favorizim në këtë garë, ka arritur ta fitojë.
/Burimi i listës së tenderit shqiptarja.com/