Policia gjermane mendon se ka shkatërruar një rrjet kriminal të trafikimit të drogave të rënda dhe armëve në vend. Sipas “Reuters” raportohet se në prangat e Policisë kanë përfunduar më shumë se 750 persona, ndërsa u sekuestrua një sasi e madhe droge dhe një numër i madh armësh zjarri.
Operacioni nisi pas disa informacioneve që u siguruan nga shërbimi “EncroChat”, i cili përdoret nga kriminelët, si një rrjet i “sigurt” komunikimi.
Por hetues francezë dhe holandezë u infiltruan në platformë, e cila kishte 60,000 përdorues në të gjithë botën vetëm vitin e kaluar.
Sapo ndërhyrja u kuptua “EncroChat” lëshoi një njoftim për të gjithë përdoruesit, duke i informuar se Policia ia kishte dalë që t’i ç’kodonte, por ishte tepër vonë.
Të dhënat e siguruara u shpërndanë përmes “Europol”, duke sjellë valë arrestimesh në shumë vende të botës.
Edhe në këtë operacion, disa efektivë policie arritën që të infiltroheshin në rrjet dhe si rezultat u kapën rreth 3.2 ton kanabis, qindra kilogramë drogë sintetike, kokainë dhe tableta ekstaze.
Përveç drogës u gjetën dhe sekuestruan 310 armë zjarri dhe mbi 12,000 fishekë, ndërsa deri tani nuk është bërë me dije asnjë nga identitetet e të arrestuarve.
/Priza.al/