Në stacionin ultramodern të Gazsjellësit “TransAdriatik” (TAP) në Fier, sot u nënshkrua Marrëveshja për Ndërtimin e Pikës Fillestare Dalëse Shqiptare të Gazit.
Ky investim i ri strategjik i hap rrugë zhvillimit të infrastrukturës kombëtare të gazit në rajonin jugor, ndërkohë që po vijon puna për projektin e detajuar për tubacionin Fier-Vlorë, i cili do të lidhë gazsjellësin me TEC-in e Vlorës dhe me portën e re hyrëse që do të investohet nga kompania “Exxon Mobile”.
Marrëveshja u nënshkrua për palën shqiptare nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, me praninë e Kryeministrit Edi Rama.
Për kryeministrin Edi Rama, zhvillimi i këtij investimi madhor do të ketë një impakt të konsiderueshëm në ekonomi dhe do ta kthejë vendin në një fuqi eksportuese të energjisë.
“Edhe procesi i nisur i ndërveprimit, për të siguruar një bashkëpunim të qëndrueshëm me një kompani të madhe amerikane, siç është ‘ExxonMobil’, së bashku me ‘Açelerator Energy’, është një tregues kuptimplotë i faktit se TAP-i nuk është thjesht një rrugë kalimi e gazit për në anën tjetër të Adriatikut, por është një burim i sigurt i një zhvillimi ekonomik e social transformues për vendin në dekadën ku sapo kemi hyrë”,- deklaroi Rama.
Ndërkohë, vijon puna edhe për tubacionin Fier-Vlorë që do të lidhë gazsjellësin me TEC-in e Vlorës, ku është kompania amerikane “Exxon Mobile” ajo që ka marrë përsipër vënien në punë të termocentralit.
Gazsjellësi “TAP” është një nga investimet më të mëdha të huaja në vend me një vlerë prej 1.5 miliardë euro dhe shihet si një mundësi e favorshme për të përfshirë Shqipërinë në hartë energjetike të Europës si dhe për të diversifikuar burimet e energjisë.
/Priza.al/