Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë arritur të gjejnë viktima të tjera nën rrënojat e ndërtesës 12-katëshe në Florida që u shemb më 24 qershor.
Aktualisht janë konfirmuar 32 të vdekur, pasi u gjetën sot katër trupa të tjerë. 117 persona ende figurojnë të pagjetur.
Ekipet e specializuara e kanë intensifikuar punën, të shqetësuar se stuhija tropikale Elsa që po lëviz drejt zonës mund t’i ndërlikojë operacionet.
Zëvendës Shefi i shërbimeve zjarrfikëse për Majamin, Raide Jadallah e njoftoi numrin e ri të viktimave në një takim me dyer të mbyllura me familjarët të martën, sipas një video-klipi të postuar në median sociale. Ai tha se punonjësit kanë gjetur gjithashtu edhe fragmente të tjera trupash.
Zoti Jadallah tha se operacionet u vonuan për dy orë të martën si rezultat i rrufeve. Ai shtoi se deri tani janë hequr nga zona afro 2500 tonë mbetje.
Punonjësit po përdorin mjete të motorizuara për të çarë pllakat e betonit, por erërat e forta dhe qielli i ngrysur paralajmërojnë ardhjen e stuhisë që do të bëjë të domosdoshme ndërprerjen e operacioneve.
Ekipet e specializuara do të vazhdojnë të punojnë edhe në mot me shi, por rrufetë e bëjnë të domosdoshm ndërprerjen e punës. Ata thonë se rreshjet kanë përmbytur me ujë garazhin e ndërtesës që tani ndodhet nën rrënoja.