Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, e ka fyer sot Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, duke reaguar pas një interviste të saj dhënë gazetës gjermane, “Der Spiegel”.
Në këtë intervistë Osmani tha për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në vitin 1999, se “pret që Serbia të gjunjëzohet”.
Siç transmetojnë mediat serbe, Vulin deklaroi se derisa Aleksandër Vuçiç e udhëheq Serbinë, shteti serb nuk do të gjunjëzohet, ashtu siç do të dëshironte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Vulin e ka fyer presidenten duke thënë se, “nëse Osmani do të kishte fytyrën, siç e ka stomakun, për gënjeshtrat që thotë, ajo do të gjunjëzohej për një kohë të gjatë para ‘shtëpisë së verdhë’ dhe serbëve të vrarë për trafik organesh”, ka deklaruar Vulin.
Ndaj kësaj deklarate të Vulinit, ka reaguar Blerim Vela, shefi i Stafit të Presidentes, i cili Vulinin e ka konsideruar “këlysh të gruas së Millosheviçit”.
“Këlyshi i Mira Markoviçit gjatë viteve 1990 në JUL, Aleksandar Vulin është zëdhënësi i regjimit primitiv, të dhunshëm dhe seksist në Serbi. Vulin i shërben zotërisë së tij aktual, Aleksandar Vuçiç me të njëjtën forcë dhe përkushtim ashtu si i shërbeu Millosheviçit. E neveritshme!”,- ka shkruar Vela në Tëitter.
/Priza.al/