Rama ka dhënë një tjetër premtim, nëse do marrë mandatin e tretë. Ai deklaroi se deri në fund të mandatit të tretë të qeverisë socialiste, paga minimale do të bëhet 40 mijë lekë. Po kështu shtoi se në 1 janar do të hiqet taksa për të gjithë ata që paguhen nën 40 mijë lekë. Kryeministri Rama tha se plani i tyre i veprimit është një plan qeverisës, e ndërsa programi elektoral i kundërshtarëve është një menu dëshirash të miletit “ta hajë kush ta hajë”. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, kreu i qeverisë tha se duke nisur nga viti i ardhshëm, 63% e të punësuarave të Shqipërisë nuk do kenë taksë mbi pagë.
“Plani ynë i veprimit është një plan qeverisës. Programi i tyre elektoral është një menu dëshirash të miletit “ta hajë kush ta hajë”. Si gjithmonë; Ne kemi sot në planin tonë atë që do të bëjmë dhe do të bëjmë nesër atë që themi sot. Kemi një program qeverisës “Shqipëria 2030. Jo një plan për të joshur elektoratin. Ata ulin sigurimet dhe rrisin pensionet. Ne i duam votat për të vazhduar rrugën e re të hapur, ata kanë zgjedhur rrugën e vjetër me premtime KÇK.
Sot dua të themi se çfarë do bëjmë konkretisht. Unë dua të fokusohem te hapat konkretë për taksat. Masat tona janë të studiuara dhe të planifikuara, për t’u zbatuar. Të tyret janë premtime për t’u lëshuar, për t’i marrë era e vjeshtës. Në atë çadër janë mbledhur të gjithë çufot dhe bubat kaçurrelë. Sot e kemi pagën minimale 30 mijë lekë. Është shumë më shumë se ishte duke e rritur çdo vit. Ne synojmë ta çojmë pagën minimale në 40 mijë lekë deri në fund të mandatit të tretë.
Por duke nisur nga 1 janari i vitit 2022, ne do ta heqim taksën mbi pagën aktuale deri në 40 mijë lekë. Kjo do të thotë që duke nisur nga viti i ardhshëm, 63% e të punësuarve të Shqipërisë nuk do kenë taksë mbi pagë. Të gjitha do i çojnë të gjithë. Sigurimet shëndetësore do i paguajnë të gjithë, se ato janë për të siguruar shëndetin”, tha Rama.