Prej shumë vitesh automjetet e shtetit përdoren dhe keqpërdoren nga funksionarët dhe punonjësit publik, duke u shpërdoruar dhe keqmbajtur, gjë që bën që në shumë institucione flota e automjeteve të ndryshohet shpesh.
Por rinovimi i flotës së automjeteve shtetërore tashmë bëhet jo vetëm prej keqpërdorimit, por edhe sepse titullarëve të institucioneve u shkojnë për shtat tenderët shumëmilionësh të automjeteve të institucioneve.
Kjo gjë ndodh sidomos me automjetet e Policisë së Shtetit, të cilat janë ndër më të përdorurat por edhe më të keqtrajtuarat si nga ata që i përdorin po ashtu edhe nga vet interesimi i shtetit.
Një qytetar ka kapur një moment shumë interesant dhe e ka denoncuar në “Top Channel”, kur një furgon policie po përdorej si të ishte një kamionçinë që mbante materiale ndërtimi.
Siç edhe duket nga pamjet, makina e Policisë së Shtetit në Elbasan transporton hekura.
Në video, duket efektivi, i veshur me uniformë policie, që nënkupton se mund të jetë në orarin zyrtar të punës.
Por, në vend që të shërbejë në funksion të sigurisë dhe rendit, ai nuk po patrullon me automjetin në qytet, por po mbush bagazhin me hekura.
Sipas qytetarit, ngjarja ka ndodhur në lagjen “Fushë Mbret” të qytetit.
/Burimi: TCH/ Përshtati: Priza.al/