Trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand, pas ndeshjes është shfaqur i pakënaqur në konferencën për shtyp, për mënyrën se si Anglia i dha fund ëndrrës së tyre në “Euro 2020”.
Tekniku skandinav këmbënguli, se penalltia e dhënë në favor të Anglisë, në shtesën e parë të ndeshjes, nuk duhej të akordohej për shkak se në atë moment kishte dhe një tjetër top në fushë, çka e ka zhgënjyer tej mase.
“Ishte një episod që nuk duhej të ishte penallti. Është diçka që më bezdis. Tingëllon e çuditshme, por nuk mund të mos e ripërsëris atë moment. Në lojë dikush fiton dhe dikush humbet, por të humbasësh në këtë mënyrë është zhgënjyese, sepse këta futbollistë kanë luftuar shumë për të arritur këtu”,- ka deklaruar trajneri i Danimarkës.
Në përfundim, Kasper Hjulmand i përgëzoi rivalët, duke konfirmuar se ndryshe nga Luis Enrique, që do të mbështeste Italinë, ai do të bëjë tifo për Anglinë në finalen e madhe të “Euro2020”, që do të zhvillohet të dielën e 11 korrikut në “Wembley” të Londrës.
/Priza.al/