Meta në konferencë urgjente pas përleshjes fizike në zyrat e FRD-së: Bashkia shkeli ligjin dhe marrëveshjen, synon vetëgjyqësi

Presidenti Meta, me anë të një konference për mediat, ka reaguar për incidentin e rëndë të ndodhur në ambientet e zyrave të FRD-së. Pak ditë më parë, Kreu i Shtetit u përlesh fizikisht me forcat e policisë, ku nuk mungoi edhe fjalori banal. E ndërsa sot, Meta ka përcjellë reagimin e radhës, duke shigjetuar kryebashkiakun Erion Veliaj në lidhje me këtë situatë kaotike.

Meta e konsideroi sulmin ndaj FRD-së, si një provokim nga mazhoranca. Me tone të larta, Meta tha se ky sulm bie ndesh me të gjitha parimet e shtetit të së drejtës. Ndër të tjera, presidenti ka treguar se si i ka ardhur njoftimi, dhe pse reagoi në atë formë. Tejet i revoltuar për përplasjen e dhunshme në zyrat e FRD-së, Kreu i Shtetit rrëfeu se kësaj force i shkëputen energjinë elektrike, ndërkohë që kryetari dhe disa drejtues të saj ishin në ambientet brenda.

Ky ishte dhe momenti kur kryetari i FRD-së e ka njoftuar. Ai tha se në letrën e lëshuar nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, nuk ka asnjë referencë ligjore për të nxjerrë partinë Fryma e Re Demokratike, për të liruar zyrat. Meta nënvizoi më tej se u përplas me efektivët, pasi nuk po e linin të bënte detyrën pas thirrjes që i erdhi nga kryesia e FRD-së.

“FRD-së i është shkëputur energjia elektrike. Kryetari i FRD-së ka njoftuar mediat, kryetarët e partive dhe presidentin. Mbi cilësinë e kryetarit të shtetit kam ndjekur të gjithë situatën, dhe kam vendosur të kontaktoj jo vetëm atë, por edhe të verifikoj situatën. Kam vendosur axhendën dhe të vizitoj selinë e kësaj force politike. Pasi kam mbërritur në seli, kam kontaktuar me drejtuesit. Kur jemi drejtuar në hyrjen kryesore të godinës, dera ka qenë e bllokuar nga policia si të ishte skenë krimi.

Stafi ka kërkuar të hapet dera. Fillimisht është hapur dera, dhe është lënë të hyjë vetëm presidenti. Ende pa u futur mirë presidenti, policët kanë penguar me dhunë stafin e presidentit dhe drejtuesit e FRD-së. Edhe pasi ngjarja u bë publike. Pas ndërhyrjes sime është dërguar një shkresë për lirimin e ambienteve pa përmendur asnjë arsye të ligjshme. Ky është një tjetër falsifikim i Bashkisë së Tiranës, pasi FRD-ja nuk është futur me forcë, por ndodhet në këtë seli prej 5 vitesh mbi bazën e një marrëveshje të lidhur me Bashkinë e Tiranës.

Në bazë të ligjit për partitë politike, Bashkia ka marrë përsipër të sigurojë godinën. FRD është prej 26 marsit 2016 në këtë seli, dhe nuk ka zaptuar asnjë cm pronë publike. Në këtë marrëveshje ligjore mes FRD-së dhe Bashkisë Tiranës citohet se palët bien dakord që çdo mosmarrëveshje të zgjidhet me mirëkuptim, përndryshe kompetente do të jetë Gjykata Administrative Tiranë. Në nenin 8 të marrëveshjes, i sigurohet një marrëveshje të dyja palëve.

Referuar këtyre akteve të nënshkruara mes palëve, Bashkia nuk ka asnjë autoritet ta zgjidhë me vetëgjyqësi këtë çështje, por duhet t’i drejtohet gjykatës. Ky hap duhej të merrej pasi të shteroheshin mundësitë e zgjidhjes. Pas presionit të madh, Bashkia i ka nisur FRD-së një shkresë formale, ku kërkohet lirimi i ambienteve brenda 10 ditëve. Por nuk i referohet marrëveshjes, dhe as ligjit”, tha Meta.

 

TAGGED:
Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *