Mjafton një kërkim i shpejtë në rrjet për abuzimet seksuale në Shqipëri dhe lemeritesh nga rastet e shumta që dalin në dritë çdo muaj.
Ka gjithmonë një histori të fshehur, ka gjithmonë persona të abuzuar që kanë frikë të flasin, ka zemra të thyera dhe persona me trauma që i zgjasin gjatë gjithë jetës.
Disa javë më parë, vendi u ngrit në protestë pas rastit të përdhunimit të një të miture nga pesë burra. Të vegjël, të rinj e të vjetër u bënë bashkë për ndërgjegjësim, me shpresën se këto raste s’do të përsëriteshin më. Megjithatë, Shqipëria duket se do të çalojë gjithmonë këtu, për sa kohë në shkolla nuk kemi edukatë seksuale.
Edukata seksuale duhet të mësohet njëkohësisht me edukimin e një të riu për të dalë në jetë. Ky informacion i domosdoshëm i mungon të rinjve shqiptarë, ndaj pasojat në disa prej rasteve janë fatale.
Të painformuar mbi këtë temë, të rinjtë dhe jo vetëm, shtyhen të bëjnë veprime jashtë dëshirës së tyre apo të personave mbi të cilët duan të ushtrojnë aktivitet seksual.
Të rinjtë janë të detyruar t’i dëgjojnë nga të tjerët sëmundjet seksualisht të transmetueshme, shtatzënitë e padëshiruara apo abortin, që në shumicën e rasteve jepen si informacion i gabuar apo i paplotësuar. Ky informacion mungon në shkolla dhe për më tepër konsiderohet tabu.
Janë mësuesit të parët ata që e kanë problem t’u flasin nxënësve për këto tema që në fakt duhet të ezaurohen që në fillimet e adoleshencës, kur të rinjtë kërkojnë të njohin trupin e tyre dhe kanë dëshira seksuale.
Mungesa e këtij informacioni kaq të domosdoshëm në shkolla sjell një rini të painformuar mbi edukatën seksuale dhe sjell pasoja që vazhdojmë t’i vuajmë brez pas brezi.
/Iconstyle/ Priza.al/