Yuri Kim: Investimet amerikane do të rriten kur korrupsioni të hiqet!

Investimet që po arrihen mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara po rriten por ka gjithmonë për të bërë më shumë. Deklaratën e ka bërë vetë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, e cila përmes një postimi në Twitter thotë se investimet po rriten ndërsa korrupsioni po luftohet. Ambasadorja theksoi se është e domodsoshme që rregullat të jenë të njëjta për të gjithë, e mbi të gjitha, të kemi në vend gjykata të pastra në rast mosmarrëveshjesh.

“Duke pritur për më shumë punë me Shqipërinë dhe autoritetet e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri për të rritur investimet Amerikane në Shqipëri.  Esenciale për të pasur rregulla të qarta që zbatohen për të gjithë, gjykata të pastra në rast mosmarrëveshjesh, të drejta të besueshme pronësie, transparencë në prokurimin publik. Tetorin e kaluar, ne vendosëm kuadrin për një bashkëpunim më të madh ekonomik mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Investimet amerikane do të rriten ndërsa korrupsioni & pengesat e tjera do hiqen. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik që duhet vlerësuar dhe zhvilluar plotësisht”, thuhet ndër të tjera në postimin e Kim.

Ambasadorja ka shpërndarë edhe një link që të con në “Axhendën e Investimeve 2021”, një paketë me 40 rekomandime drejtuar Qeverisë dhe Parlamentit të Ri me synim përmirësimin e shpejtë të Klimës së Biznesit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri.

Përmes një letre falenderimi, Presidenti i AmCham, z. Enio Jaço vlerësoi kontributin e lartë të anëtarëve, në evidentimin e sfidave që pengojnë mënyrën e të bërit biznes. Jaço kërkoi që anëtarët të vijojnë të përfshihen edhe në procesin e punës për kthimin e rekomandimeve në legjislacion konkret per Parlamentin e ri.

Në njoftim thuhet se axhenda e Investimeve është rezultat i punës së 10 muajve të fundit, ku Dhoma Amerikane realizoi një seri anketimesh me anëtarët e saj, ndjekur nga analiza teknike ekspertësh, për përmirësimin e klimës së investimeve. Perceptimi dhe gjetjet e anëtarëve konfirmohen dhe përputhen me gjetje të ngritura nga raporte të mirënjohura ndërkombëtare.

40 rekomandimet specifike në raport janë të organizuara në 8 themele përmirësimi të klimës së biznesit duke parashikuar sfidat, zgjidhjet dhe mundësitë e reja që krijohen.

Axhenda synon një strategji bashkëkohore për tërheqjen e suksesshme të investimeve të huaja, implementuar dhe monituar nga nivelet më të larta në Qeveri. Strategjia duhet të identifikojë sektorët prioritarë dhe të krijojë incentiva për zhvillimin e tyre, pa procedura burokratike.

Një qendrim pa kompromis kundër korrupsionit me sanksione reale ndaj abuzuesve dhe monitorim transparent i llogaridhënies është me rëndësi për krijimin e besueshmërisë në publik. Rekomandimet synojnë krijimin e një sistemi transparent, efektiv dhe pa ndikim politik tek Prokurimet Publike si dhe garantimin e Konsultimit Publik efektiv, gjithpërfshirës.

Rekomandimet synojnë rritje ekonomike duke adresuar elementë specifikë të ekonomisë. Modernizimi i sistemit të taksave konsiderohet vital për rritjen e konkurrencës dhe formalizimin e investimeve rajonale. Eksportet shqiptare përfaqësojnë mundësi të reja në periudhën post pandemike, e cila nxit domosdoshmërinë e zhvillimit të ekonomisë digjitale, ku Shqipëria duhet të krijojë kornizë bashkëkohore ligjore. Krijimi i një sistemi dinamik ekonomik kërkon aftësi të reja në burime njerëzore për të cilat Qeveria dhe sektori privat duhet të anagazhohen së bashku në rritjen e shpejtë dhe të targetuar të aftësive të forcës punëtore.

Implementimi i këtyre rekomandimeve garanton ndërtimin e një klime biznesi dinamike dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend konkurrent në rajon. Dhoma Amerikane do jetë e gatshme të ofrojë asistencën e saj në kthimin e rekomandimeve ne legjislacion, ndërsa do të vijojë dialogun me të gjitha palët politike dhe institucionale me nisjen e Sesionit të ri Parlamentar.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *