“Alarm! Lëviz, lëviz… hapu!”. Ishin këto fjalët që u dëgjuan nga ushtarakët dhe teknikët që vrapuan të bënin gati një avion gjuajtës-kapës spanjoll të tipit “Eurofighter Typhoons”, pikërisht kur në hangarin e bazës ku ishte parkuar dhe mjeti fluturues ushtarak, po zhvillohej një konferencë e rëndësishme shtypi.
Konferenca e përbashkët për shtyp e presidentit të Lituanisë, Gitanas Nauseda dhe kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, në bazën ajrore lituaneze të Siauliai-t, po përdorte si sfond pikërisht gjuajtësin spanjoll të gjeneratës së fundit.
Por sirena e alarmit e bazës e ndërpreu konferencën dhe e prishi “dekorin” gjuajtës-kapës, pasi nga kulla erdhi lajmi se një avion rus kishte shkelur hapësirën ajrore të vendit.
Dy liderët u shoqëruan në një vend të sigurt nga truprojat e tyre, ndërsa piloti i gjuajtësit kërceu me shpejtësi brenda kupolës, pasi nuk kishte kohë për të humbur.
Avioni spanjoll i parkuar në hangarin e bazës ushtarake lituaneze, që po shërbente si “dekor”, ishte një prej 7 avionëve të të njëjtit tip, pjesë e skuadriljes ushtarake që Spanja ka dislokuar në Lituani.
Por avioni që u ngrit menjëherë në fluturim dhe iu vu nga pas avionit të Moskës, ishte “për fat tëë keq” avioni i vetëm i gatishmërisë, i pajisur me armatim dhe i mbushur me karburant, në pritje të ndonjë alarmi të mundshëm.
Kjo bëri që konferenca për shtyp e dy politikanëve, të rinisë pas 25 minutash, në një kohë që si dy liderët, ashtu dhe gazetarët e kameramanët, u spostuan me shpejtësi nga hangari prej personelit të bazës, pasi avioni ndezi menjëherë motorët.
Zëdhënësi i presidentit lituanez pohoi më pas për “Reuters” se, kishte pasur një incident në ajër, por dy udhëheqësve sipas tij, nuk i’u kanos asnjë rrezik.
Sanchez është duke vizituar trupat spanjolle në Lituani, të cilat marrin pjesë në misionet ajrore në Balltik, në kuadër të misioneve të NATO-s. Shtatë avionë spanjollë “Eurofighter Typhoons” janë stacionuar në Siauliai që prej 30 prillit.
Konfrontimet mes Rusisë dhe Perëndimit kanë ardhur duke u përshkallëzuar së fundi, e situata sidomos në Detin e Zi konsiderohet aq problematike, sa nuk përjashtohet mundësia e përplasjeve direkte ushtarake mes palëve.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/