Sot për herë të parë zyrtarisht u çelën fluturimet tregtare dhe ato të pasagjerëve në aeroportin e Kukësit “Zayed-Flatrat e Veriut”. Avioni me 67 pasagjerë i nisur nga Zyrihu është ulur rreth orës 12:45 në aeroportin e Kukësit.
Ky i fundit, është hapur sot zyrtarisht për fluturimet komerciale. Rama e cilësoi këtë aeroport portën e dytë të qiellit të Shqipërisë.
Fluturimi i kthimit nga kompania ajrore zvicerane “Helvetic Airlines”, pritet të kryhet po sot, pas një ore e gjysmë të kohës së përgatitjes për kthim për në Zürich.
Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Zayed-Flatrat e Veriut”, ka një pistë prej 2.2 kilometrash dhe kullën e tij të vëzhgimit, ndërsa në pjesën e shesh-parkimit, është projektuar të mbajë 3 aeroplanë njëkohësisht, ndërsa brenda një ore, 4 avionë mund të nisen nga Aeroporti i Kukësit.
Terminali zë një vend prej 3500 m2, ka 2 porta hyrëse dhe brenda tij një zonë muzeale përkujton luftën e Kosovës, e cila ishte gjithashtu pika fillestare e këtij aeroporti, si një dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe në ndihmë për refugjatët e luftës.
/Priza.al/