Çështja e plehrave që po dergjen rrugëve në bashkitë e disa qyteteve të Shqipërisë në kulmin e sezonit turistik dhe madje pranë zonave turistike, ka bërë që organet e drejtësisë të lëvizin.
Të paktën kjo gjë duket tek Prokuroria e Kavajës, e cila ka nisur sot hetimin për skandalin e djegies së plehrave në Kodrat e Spilles.
Burime për mediat kanë bërë tashmë të ditur se pas referimit nga Policia e Kavajës, Prokuroria ka vendosur nisjen e hetimit, duke regjistruar procedim penal.
Hetimi i Prokurorisë ka nisur për dy vepra penale, e para “shkaktimi i ndotjes së ajrit dhe detit”, dhe “shpërdorim detyre për zyrtarët përgjegjës”.
Por as njëra dhe as tjetra vepër penale nuk kanë marrë në asnjë rast parasysh faktin që në krijimin e kësaj situate të nxitur qëllimisht ka dorë mafia e plehrave, e cila po e shkakton qëllimisht këtë situatë nëpër bashkitë e vendit.
Qëllimi i vetëm është krijimi i situatave kaotike me grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane, me qëllim që bashkitë të detyrohen të nënshkruajnë tenderë pastrimi me Inceneratorin e Tiranës, duke e furnizuar këtë të fundit me lëndë të parë falas dhe duke i derdhur milionat në llogari kompanis private të drejtuar nga Klodian Zoto.
Djegia e plehrave
Mediat kanë denoncuar prej ditësh katastrofën mjedisore e shkaktuar prej bashkisë Kavajë në Kodrat e Spilles, ku janë depozituar në mënyrë të paligjshme mbetje urbane dhe ku bëheshin djegie.
Denoncimi erdhi pasi banorët e zonës përreth pikasën tymin dhe zbuluan se, në këtë kodër po digjeshin mbeturina. Për dy javë radhazi në Kodrat e Spilles u dogjën mbeturina ndërsa bashkia mohonte ekzistencën e landfillit.
Por me gjithë “paditurinë” e bashkisë Kavajë, tonelata mbeturinash depozitoheshin dhe digjeshin çdo ditë në kodrën e fshatit Kazie, mes zonës së plazhit në Spille dhe Plazhit të Gjeneralit. Grumbullimi dhe djegia e tyre ka shkaktuar ndotje të madhe mjedisore, për me tepër tani në pikun e sezonit turistik.
Institucionet lokale nuk denjuan në asnjë moment të lëvizin as gishtin për t‘i dhënë fund këtij skandali, që po konsumohet çdo ditë para syve të banorëve të zonës dhe bizneseve, apelet e të cilëve kanë përfunduar në vesh të shurdhët.
Ndërkohë mbetjet urbane vijojnë të mblidhen në fshatin Kazie, në bregdetin Adriatik duke iu vënë sërish flaka dhe shkaktuar një situatë të paprecedentë dhe një krim të rëndë mjedisor.
/Priza.al/