Shqipëria humb katër vende në rang global sa i takon sundimit të ligjit. Në një raport të publikuar nga ‘World Justice Project’ të Indeksit të Sundimit të Ligjit për vitin 2020 thuhet se në rang botëror, (Nga viti 2015 deri në 2020) Shqipëria renditet e 78 nga 128 vende sa i takon sundimit të ligjit (e 77 është Kolumbia), ndërsa në rajon është në vendin e 9 nga 14 shtete. Ndërkohë që pas Shqipërisë renditet Maroku, Peruja dhe vendet e Afrikës, ndersa Serbia, Maqedonia e Veriut apo dhe Bosnja janë të rankuara më sipër. Një surprizë për këtë raport është padyshim Kosova, e cila renditet në vendin e 54, e dyta në Rajon pas Gjeorgjisë.
Sa i takon fuqisë së pushtetit, vendi ynë në rang global renditet i 96 nga 128 vende, dhe i 7-i në rajon nga 14. Në raportin e ‘World Justice Project’ nënvizohet fakti se korrupsioni mbetet një problem shqetësues për vendin tonë, ku renditemi të 100-t nga 128 shtete dhe të 11-t në rajon. Duke u ndalur tek një pikë tjetër, që lidhet me transparencën e qeverisë ndaj qytetarëve, vendi ynë rankohet i 77-i nga 128 shtete në glob dhe i 10-i në rajon.
Ndërkohë, sa i takon të drejtave të qytetarëve, Shqipëria renditet në vendin e 54 nga 128 shtete dhe në rajon e 5-a. Në raport flitet edhe për rendin dhe sigurinë, ku Shqipëria renditet e 36-ta nga 128 shtetet në rang global dhe e 7 në rajon. Mes të tjerash raporti thekson se vendi ynë është i 98-i sa i takon zbatimit të rregullave në rang global dhe i 11-i në rajon.
Një tjetër aspekt në raport është dhe drejtësia civile, ku Shqipëria ka pësuar ulje në renditje. Sipas të dhënave, vendi ynë është i 87 në rang global dhe i 12 në atë rajonal. Por Shqipëria ka shënuar një rezultat mbi mesataren e rajonit sa i takon drejtësisë ndaj krimit. Në rang global renditet në vendin e 72 ndërsa në atë rajonal në 8. Me 0.43, vendi ynë kalon mesataren rajonale prej 0.42 pikë por ndodhet poshtë asaj globale e cila është 0.47. Vendet e para për vitin 2020 në raport renditen Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda.
/Burimi: World Justice Project/