Tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë arrestuar ditën e sotme dhe një tjetër është lënë në ‘arrest shtëpie’, pasi një operacioni antikorrupsion nga SPAK, në lidhje me abuzimet me prokurimet publike. Më konkretisht, operacioni është ndërmarrë në lidhje me abuzimin me tenderin e uniformave të policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, tender i hapur me 26 korrik 2019 dhe mbyllur ne 11 maj 2020, ku mes të arrestuarve është edhe ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e cila iu shkarkua nga kjo detyrë më 2 korrik, vetëm një javë më parë.
Urdhër arresti janë lëshuar po ashtu edhe për anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj. Ndërkohë është lënë në ‘arrest shtëpie’ Anisa Bogdani, e cila ishte anëtare e njësisë së prokurimit. Po ashtu SPAK ka kryer kontrolle edhe në banesat e të arrstuarve. Hetimet kanë nisur për disa tendera të dyshimte nga Agjencia e Përqendruar në Ministrinë e Brendshme. Prokurori i SPAK, Dritan Premçi ka kërkuar nga GJKKO arrestimin e 9 zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, ndërsa gjyqtarja Danila Shirka konfirmoi arrestet.
SPAK ka gjetur parregullsi e falsifikim të dokumenteve dhe favorizim të kompanive pjesëmarrëse në këtë tender. Edlira Naqellari akuzohet se ka ndryshuar çmimet, sasinë dhe cilësinë e uniformave të policisë dhe këto veprime të paligjshme i ka bërë në bashkëpunim me zyrtarët dh ish zyrtarët e arrestuar.
SPAK ka përgjuar dhe vëzhguar 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë ‘zbërthyer’ skemën e abuzimit me tenderin. Rezulton se ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari ka ndyrshuar çmimet, sasinë dhe cilësinë e uniformave të kërkuara nga Policia e Shtetit. Sipas përgjimeve të SPAK, këto veprime të paligjshme, Naqellari i ka kryer në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë të arrestuar.
Gjatë hetimit janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarët e Njësisë së Prokurimit, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Kreshnik Bejkaj. Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Gezim Mingaj, në bashkëpunim me njeri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës. Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, ku si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedure prokurimi.
Si u fitua tenderi nga kompania D&E sh.p.k?
Në fillim të procedurës në Komisionin e vlerësimit të Ofertave ishin 3 anëtarë të cilëve u bë presion që të s’kualifikohej kompania e renditur e para e cila plotësonte të gjitha kriteret dhe ka ofruar edhe 5 miliard leke më pak. Por drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar Edlira Naqellari dyshohet se ka ushtruar presion ndaj pjesëtarëve të komisionit që të s’kualifikohej kompania e parë dhe të fitonte kompania e përzgjedhur nga ajo “D&E sh.p.k. Kompania “D&E” sh.p.k., nuk plotësonte një sërë kushtesh teknike, dhe kishte mungese dokumentacioni të theksuara falsifikuar dhe dokumentacionin e paraqitur. Kaq mjaftonte që kjo kompani jo vetë të mos fitonte tenderin, por edhe të ndiqet penalisht. Fitues i kontratës me një fond limit prej 2.8 miliardë lekësh është shpallur operatori ekonomik D&E me administrator dhe pronar të vetëm, Ismail Kadiun, në bashkëpunim me 3 kompani të tjera të cilat janë të huaja “Summer Conf s.r.l. dhe “Lovers s.r.l”.
Operacioni i SPAK vjen gati një vit pasi deputetët e opozitës, Myslim Murrizi dhe Halit Valteri kallëzuan në SPAK, më 3 gusht të 2020, tenderin e Ministrisë së Brendshme për uniformat e policisë me vlerë prej 2.8 miliardë lekë. Ata pretenduan se tenderi i ishte dhënë një kompanie gërmimesh që nuk kishte lidhje me rrobaqepësinë, duke i kërkuar SPAK që të hetojë.
/Priza.al/