Arrestimet në Ministrinë e Brendshme, reagon Yuri Kim: Manipulimi i prokurimeve publike për të majmur kuletat është krim

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka reaguar për operacionin e Prokurorisë së Posaçme për tenderin e uniformave të policisë, që çoi në pranga tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë.

Kryediplomatja amerikane thekson se është mirë që po shohim veprime anti-korrupsion. Në një postim në rrjetet sociale, Kim shprehet se abuzimi ose manipulimi i proceseve të prokurimit publik është njësoj si vjedhja.

“Na vjen mirë të shohim veprimet e SPAK kundër Korrupsionit. Abuzimi ose manipulimi i prokurimeve publike është njësoj si të vjedhësh të gjithë qytetarët, (përfshirë qytetarët amerikanë, taksat e të cilëve iu japin ndihmë), për të majmur kuletat e vetes ose të “miqve”. Ky është krim,” shkruan ambasadorja.

Operacioni i SPAK ka ardhur pas hetimit lidhur me tenderin për uniformat e policisë. SPAK nbëri me dije  se më 11 qershor të vitit 2020, në Agjencisë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me objekt “Blerja dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit,” për katër vjet, me fond limit 2,8 miliardë lekë pa TVSH.

Gjatë hetimit, sipas Prokurorisë së Posaçme, janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit si Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleviz Hasani dhe  anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara dhe si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi. Pas këtij hetimi, Gjykata e Posaçme vendosi masën “arrest me burg” për tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *