Një 14-vjeçar në Kurbin ka qëlluar në ajër me breshëri automatiku, duke terrorizuar banorët e zonës.
Pas marrjes së informacionit, uniformat blu kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të të miturit si dhe kanë sekuestruar armën e zjarrit.
Materialet në ngarkim të 14-vjeçarit i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i policisë:
Banorët njoftojnë Policinë se i mituri qëllon në ajër me armë zjarri, ndërhyrja në kohë dhe me profesionalizëm e shërbimeve të Policisë, neutralizon pa shkaktuar probleme dhe vë në pranga 14-vjeçarin.
Sekuestrohet arma e zjarrit automatik, me të cilën kishte qëlluar me breshëri në ajër.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin pas marrjes së njoftimit se një shtetas po qëllon me armë zjarri në ajër në fshatin Shpërdhet, Kurbin, kanë organizuar punën dhe falë reagimit të shpejtë e profesional kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit, konkretisht shtetasit D.T., 14 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe armën e zjarrit automatik, me të cilën ky shtetas kishte qëlluar në ajër.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.