Mori 17-vjeçaren në motorin e ujit dhe e la të vdekur në mes të detit, prokuroria ndryshon akuzën për Indrit Bajraktarin

Indrit Bajraktari, i riu i cili mori 17-vjeçaren Enisa Dodën për xhiro me motor uji në Velipojë (e cila më vonë u gjet e mbytur) mund të shpëtojë nga burgu me vetëm një gjobë ose me 5 vite burg.

Mësohet se Prokuroria e Shkodrës ka vendosur të mbyllë hetimet për këtë ngjarje të rëndë, duke marë të pandehur Indrit Bajraktarin për akuzën e “Vrasjes nga pakujdesia” dhe jo për veprën penale të “Vrasjes me dashje”.

Prokurorja e çështjes, vendosi të pushojë dhe akuzën e “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” për Bajraktarin, pasi sipas saj nuk ekziston fakti.

Në dosjen penale prokurorja thotë se gjatë shëtitjes në det me motor, kur kanë arritur në një distancë rreth 1200 metër larg nga bregu i detit, Indrit Bajraktari, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe së bashku me vajzën janë rrëzuar, duke rënë në ujë. Momentalisht dosja penale është në fazën e gjykimit dhe pritet që në ditët në vijim, gjyqtari Hasan Selimi, të marrë një vendim për dënimin ose jo të Indrit Bajraktarit.

KUR DHE SI NDODHI NGJARJA?

Ngjarja e rëndë ndodhi më 19 gusht 2020, teksa 17-vjeçarja bashkë me 25-vjeçarin Indrit Bajraktari po bënin një xhiro me motor uji në det. Trupi i të miturës u gjet në një largësi rreth 700-800 metra nga bregu. Një ditë më vonë, u arrestua Indrit Bajraktari, i cili ishte edhe drejtuesi i motorit. Ky i fundit nuk ka pranuar të dëshmojë para oficerëve dhe ka thënë se do të shprehet vetëm para togave të zeza. Kjo ngjarje ka sjellë edhe pezullimin e lëvizjes me mjete motorike në plazhin e Velipojës.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *