Çfarë i ndodh trupit dhe trurit tuaj kur shikoni futboll?

Le të sqarojmë menjëherë se çfarë nënkuptohet me tifo. Siç tregon fjala, kjo është sjellje anormale, dhe nga etimologjia greke e fjalës, tifoja kujton një “ethe”, mbështetje entuziaste për një ekip ose një personazh.

Nëse keni përjetuar një gjendje ankthi para dhe gjatë finales Itali-Angli në “Euro 2020”, ose nëse keni qenë të zemëruar kur ekipi juaj i zemrës është skualifikuar, asgjë nuk ka qenë rastësore. Truri dhe trupi reagojnë ndaj ngjarjeve të tilla në mënyra të ndryshme. Të parit një ngjarje sportive, jo vetëm futboll, pasohet nga shumë ndryshime emocionale dhe fizike.

Truri

Truri i tifozit është gjithashtu një tru që luan kur bëhet fjalë për sportet. Kur jemi duke parë sporte, ndihet sikur në të vërtetë po luajmë në lojë. Ne fillojmë të vendosemi në “këpucët e atletit” falë neuroneve pasqyrë që gjenden kryesisht në anën e djathtë të trurit. Këto qeliza na lejojnë të reflektojmë dhe të lidhemi me lëvizjet e dikujt tjetër pa komunikim verbal.

“Ky fenomen lejon një ndjenjë lidhjeje dhe komuniteti pa komunikim verbal ose nevojën për të folur drejtpërdrejt me atletin,”-tha për Medical Daily Dr. Jesse Hanson, drejtoresha e klinikës Helix Healthcare Group. Studimet e mëparshme kanë zbuluar se kur shohim një veprim të njohur, neuronet tona “pasqyrë” aktivizohen saktësisht për aq kohë sa vëzhgojmë veprimin. Kjo është ajo që na lejon të kuptojmë menjëherë veprimin, qëllimin e sportistit, madje edhe emocionet e lidhura me të.

Tru-zemër

Një studim i botuar në “New England Journal of Medicine” zbuloi se të parit një ndeshje stresuese futbolli dyfishon rrezikun për të pasur probleme të vogla kardiovaskulare. Studiuesit u morën me të dhënat nga spitalet përreth Mynihut gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës 2006 të mbajtura në Gjermani.

Numri i urgjencave kardiake u dyfishua kur Gjermania luante në ndeshjet e Kupës së Botës krahasuar me ditët e tjera. “Kur ka një lojë intensive, disa tifozë kanë një përgjigje shumë emocionale, një rritje të niveleve të adrenalinës,”- tha për “Medial Daily”, Dr.Robert Kloner, drejtor i qendrës kërkimore për problemet kardiovaskulare, “Huntington Medical Research”.

Hormonet

Rajonet e trurit aktivizohen, rrahjet e zemrës rriten dhe hormonet fillojnë të luhaten gjatë ndeshjeve. Për shembull, testosteroni i tifozëve rritet kur ekipi i tyre fiton, por bie kur humb. Çlirimi i testosteronit ka të ngjarë të ketë lidhje me ndjenjën e mbizotërimit. Kjo shpjegon pse shumë trazira ndodhin pasi një ekip fiton. Një studim i vitit 2012 zbuloi se kur tifozët spanjollë të futbollit po brohorisnin për ekipin e tyre vendas në finalen e Kupës së Botës 2010 midis Spanjës dhe Hollandës, ndeshja shkaktoi një rritje të testosteronit te burrat dhe gratë.

Studiuesit besojnë se kjo është për shkak se ne identifikohemi me ekipin tonë aq shumë sa që ndiejmë se personalisht po e çojmë drejt fitores. Sipas Dr.Richard Shuster, psikolog klinik dhe drejtuesi i i podcastit “The Daily Helping”, kur ekipi juaj fiton ose po luan mirë, truri fillon të çlirojë dopaminë, e cila është drejtpërdrejt e përfshirë në rregullimin e qendrave të kënaqësisë.

Anasjelltas, kur ekipi performon dobët ose humb, truri prodhon kortizol, një hormon të cilin trupi e çliron kur jeni nën stres. “Më keq, truri mund të prodhojë më pak serotonin, e cila mund të çojë në rritjen e zemërimit,”- thotë Shuster. Të parit një ndeshje mund të na bëjë po aq të stresuar sa një ditë e lodhshme në punë.

Në të njëjtin studim të vitit 2012, studiuesit nga Universiteti VU Amsterdam matën nivelet e hormoneve në mostrat e pështymës të marra nga 58 tifozë spanjollë të futbollit gjatë Kupës së Botës. Pavarësisht se Spanja fitoi, pjesëmarrësit kishin nivele më të larta të kortizolit dhe testosteronit.

/Burimi: nbcnews/përshtati në shqip Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *