Ndahet nga jeta poeti dhe ish-i persekutuari politik, Uran Kostreci

Ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare nga Covid-19, poeti Uran Kostreci, një nga figurat emblematike të burgjeve komuniste.

Kostreci prej ditësh ishte i infektuar dhe i’u nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale e cila rëndoi gjendjen e tij shëndetësore duke i marrë jetën.

Poeti Uran Kostreci ka kaluar 20 vite në burgjet komuniste dhe njihej për veprat “Epopeja e karkalecave” dhe dëshmitë për burgjet.

Lajmin e ka dhënë me një njoftim në Facebook, gazetari Nebil Çika, njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë.

“Shuhet Uran Kostreci!

Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se legjenda e qëndresës antikomuniste Uran Kostreci, ndërroi jetë sot. Në emër tim dhe të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërisë ju shpreh ngushëllimet familjarëve miqve bashkëvuajtesve dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Qofsh i Parajsës kampion i qëndresës dhe asketi i lirisë!”,- shkruan Çika në Facebook.

Kush është Uran Kostreci

Lindi më 1938, në Sarandë. Arrestuar 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi ‘për tradhti ndaj atdheut’, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet.

Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi ‘se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit’ dhe se ka bërë ‘agjitacion e propagandë’, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981.

Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie.

Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty sepse e mësoi përmendësh.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *