Dy të rinj janë arrestuar në zonën e Mirditës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tyre, iu janë konstatuar 20 kilogramë lëndë narkotike e llojit cannabis sativa.
Sipas bluve, të arrestuar janë Odison Jaku, shoferi i mjetit dhe Roland Papa, pasagjer, gjithashtu janë sekuestruar edhe automjeti dhe 3 aparate celularë.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i plotë:
Mirditë, Lezhë Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Rrenja e Zezë”, i zhvilluar nga DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Mirditë. Sekuestrohen 20 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, 1 automjet dhe 3 aparate celularë. Vihen në pranga 2 shtetasit që posedonin lëndën narkotike. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se 2 shtetas që po qarkullonin me automjet dyshohej se po transportonin lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe në fshatin Rrenja e Zezë, Mirditë, kanë identifikuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij. Gjatë kontrollit të automjetit tip “Benz” me drejtues shtetasin Odison Jaku dhe pasagjer shtetasin Roland Papa, në bagazh janë gjetur dhe sekuestruar 20 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve O. J., 22 vjeç banues në Mirditë dhe R. P., 37 vjeç, banues në Lezhë. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
/Priza.al/