Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me anë të një postimi në rrjetet sociale ka folur rreth prezantimit të paketës së re të prokurimeve publike të prezantuar sot nga kryeministri Edi Rama.
Sipas Bashës, kryeministri ka 8 vite në pushtet dhe sot më në fund pranoi se qeveria e tij e ka zhytur vendin në korrupsion. “Ka 8 vite në pushtet dhe sot më në fund pranoi se qeveria e tij e ka zhytur vendin në korrupsion. Ajo që ai nuk thotë dhe është e qartë për të gjithë shqiptarët është se PESHKU QELBET NGA KOKA!” shkruan Basha.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të martë paketën e re të prokurimit publik, që synon të kapërcejë hendekun mes politikës dhe të ardhmes. Sipas Ramës secila ministri që do të ketë abuzime me tenderat, do të jetë vetë kryeministri që do i çojë në SPAK. 70% e tenderave të dhënë përgjatë periudhës 2020-2021 janë me probleme, tha Rama, por ajo që për të është një shqetësim më madhor është mosreagimi i institucioneve pas rekomandimeve të Agjensisë së Prokurimeve Publike.
Me paketën e re ligjore, Rama tha se ministrat, janë po njësoj përgjegjës si titullarët e Bashkisë për procedurat e tenderit, ku përfshihet numri i pjesëmarrjeve, vlera e kursyer në paratë e buxhetit të shtetit, nënshkrimi i kontratave, realizimi i tyre në terren si edhe kufizimi i tenderëve me negocim pa shpallje, që janë edhe 5 prioritetet e paketës së re të Prokurimeve.
/Priza.al/