Ditën e djeshme ‘Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit’ iu drejtua SPAK duke depozituar një kallëzim penal për ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca dhe kreun e bashkisë Erion Veliaj. Aleanca e akuzon Sorecën për ndikim të paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese, në favor të Veliajt në lidhje me çështjen e Teatrit.
Këshilli i Bashkimit Europian i ka konsideruar fushatë disinfromuese dhe shpifje, akuzat e bëra nga Aleanca për Teatrin, në drejtim të ambasadorit të BE-së në vendin tonë Luigi Soreca, të mbërritura deri në SPAK. Në një deklaratë, zëdhënësi kryesor për punët e Jashtme, Peter Stano thotë se akuzat janë të pabazuara në prova, ndërsa shton se liderët e Brukselit kanë besim të plotë te Soreca. KE ka vlerësuar maksimalisht punën e bërë deri më tani nga diplomati europian duke thënë se po punon për interesat e BE, si edhe të shtetasve shqiptarë.
“Ka një fushatë kundër ambasadorit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca dhe duhet të theksojë se deklaratat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kundër Sorecës janë të pabazuara dhe shpifje. Liderët e Brukselit kanë besim të plotë te Soreca dhe ka mbështetjen maksimale nga ne për punën e mirë që ka bërë për interesin e BE-së, për marrëdhënien e Shqipërisë me BE dhe për interesin e marrëdhënieve të shqiptarëve. Ne vijojmë që të mbështesim Reformën në Drejtësi dhe ftojmë të gjithë aktorët që të mbështesin implementimin e kësaj reforme”, tha Stano në deklaratën për mediat.
“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” e ka akuzuar z. Soreca se po ndërhyn në vendimet e Gjykatës Kushtetuese për teatrin dhe po lobon pro kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Këto akuza të rënda, Adriana Kalaja i bëri para se të merrej vendimi nga Kushtetuesja për Teatrin. Ajo i bazon akuzat në disa fjalë që njerëzit që përkrahin Aleancën për Teatrin dhe rrinë përballë Gjykatës Kushtetuese e kanë parë ambasadorin të hyjë në Gjykatën Kushtetuese më 16 qershor kur po zhvillohej seanca dhe më pas të dilte nga dera e pasme.
/Priza.al/