Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në Gjykatë dosjen për ish-kryebashkiakun e Pogradecit Eduart Kapri, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera, si dhe për shpërdorim detyre si dhe për pengimin e procesit zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 2019.
Edvin Kulluri, ish-anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike, thotë në një interviste se është kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ai i cili u ka kërkuar kryebashkiakëve që të bllokojnë procesin zgjedhor dhe se përgjegjësi kryesor është ai. Kulluri tha se Basha, bashkëpunëtorët e tij i merr, i përdor dhe më pas i hedh në rrugë.
‘Si zyrtar i shtetit ka detyrim t’i bindet ligjit, përveç përgjegjësisë personale të z. Kapri ka një përgjegjësi edhe të kryetarit të PD-së që u ka kërkuar kryetarëve të bashkisë që të bllokojnë procesin zgjedhor. Kjo është përgjegjësi morale dhe politike. Basha bashkëpunëtorët e tij i merr, i përdor i hedh në rrugë dhe në fund nuk mban asgjë përgjegjësi. Kjo nuk ka qenë ideja e z. Kapri ka qenë e kryetarit të PD-së. E ka bërë zoti Lulzim Basha. Këtu përgjegjësi është e kryetarit të partisë. Basha nuk ka çfarë bën tashmë, Kapri do të vërtetojë se nuk ka zhvilluar veprime për mos zhvillimin e zgjedhjeve’– tha Kulluri.
Kapri dhe 5 vartësit e tjerë do të gjykohen në lidhje me tentativën për të penguar zgjedhjet lokale në 30 qershor 2019 si dhe për akuzën për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017.
Sipas SPAK, nga hetimet rezultoi se Kapri, së bashku me dy ish-zyrtarët e tjerë të Bashkisë së Pogradecit, Safet Blaceri dhe Gurali Blaceri akuzohen edhe për faktin se tentuan të pengonin mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor të 2019, duke i vënë drynin tre shkollave dhe një kopshti, që ishin përcaktuar si qendra votimi nga KQZ.
/Priza.al/