Prokurori i Sarandës Sali Hasa u arrestua më datë 19 qershor pas një hetimi 1 vjeçar nga SPAK, përgjimet e të cilit zbardhën korrupsionin e prokurorit, nga dhënia e ryshfetit deri tek trukimi i ndeshjes Përmet-Selenicë. Në pranga gjithashtu ranë oficeri i policisë Napolon Hodaj, një arbitër futbolli, drejtues i ekipit të futbollit në Përmet si dhe një ekspert mjeko-ligjor.
Ditën e sotme ,Gjykata e Apelit, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për masën e sigurisë “arrest me burg” për prokurorin e Sarandës dhe katër të tjerë.
Çfarë e “fundosi” prokurorin Hasa?
Janë të paktën tre episode të veçuara nga njëra-tjetra ato që ‘fundosën’ prokurorin Sali Hasa: ryshfeti, trukimi i ndeshjes Përmet-Selenicë dhe korrupsioni pasiv i gjyqtarëve.
1. Çështja e Emiljano Mirani dhe ryshfeti
Prokurori Sali Hasa kishte nën hetim shtetasin Emiljano Mirani, i akuzuar për plagosje të lehtë me dashje dhe mbajtje të armëve të ftohta, por që ka pushuar çështjen ndaj tij pas ndërhyrjes së motrës së të dyshuarit, Elsona Papa, e cila është lënë në “arrest shtëpiak”. Kjo e fundit dyshohet se i ka dhënë ryshfet prokurorit për të shpëtuar vëllain.
2. Si u zbuluan arbitri dhe zyrtari i klubit të futbollit?
Hetimi për prokurorin Hasa, ka çuar prokurorin e SPAK, Altin Dumani, në zbulimin e trukimit të ndeshjes Selenica-Përmeti. Nga përgjimet rezulton se ndeshja ishte paracaktuar dhe do të fitonte klubi Përmeti 1-0 me penallti. Siç rezulton në përgjime, ashtu ka rezultuar edhe në realitet, ku zyrtarët e arrestuar kanë lejuar paracaktimin e kësaj ndeshjeje. Kjo ka çuar në pranga arbitrin Qerim Ruçi, si dhe Bledar Hajredini, zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, të dy të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim.
3. Një rast tjetër është ai i oficerit të Policisë Gjyqësore, Napolon Hodaj, që dyshohet se në bashkëpunim me ish- ekspertin mjeko-ligjor, Hysen Korenica kanë ndikuar për t’i lehtësuar akuzën një të arrestuari për “Vjedhje me dhunë” dhe “Plagosje”. Përgjimet zbuluan se Napolon Hodaj, ndihmoi një të dyshuar për vjedhje me dhunë dhe plagosje t’u shpëtonte akuzave. Në këtë episod përfshihet edhe ish-eksperti mjeku ligjor, Hysen Korenica, i cili dyshohet për ekspertim të rremë dhe do të hetohet të gjendje të lirë. SPAK urdhëroi kontroll edhe në zyrat e banesave të të dyshuarve dhe po kryen hetime të mëtejshme edhe për disa episode dhe krime të tjera të mundshme.
Të arrestuarit
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.40 datë 17.06.2021 ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit:
1- Sali Hasa, prokuror në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
2- Napolon Hodaj, Oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
3- Qerim Ruçi, arbitër i ndeshjeve të futbollit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.
4- Bledar Hajredini, zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.
5 – Julian Zera, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 – 25 i Kodit Penal.
6 – Emiljano Mirani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 – 25 i Kodit Penal.
Hetim në liri
7 – Elsona Papa Me vendimin nr.40 datë 17.06.2021 Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, për të hetuarën Elsona Papa, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 – 25 i Kodit Penal.
8- Hysen Korenica (ish ekspert mjeko – ligjor), Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309 i Kodit Penal.
/Priza.al/