Franca feston sot festën e saj kombëtare të njohur ndryshe si “Dita e Bastijës”. Në këtë ditë Francës duket se i është kthyer sërish krenaria pasi me mijëra trupa të ushtrisë franceze kanë marshuar në një paradë në bulevardin kryesor të Parisit.
Tanke, kavaleri, aeroplanë luftarakë dhe shumë ushtarë dhanë një spektakël në qiell dhe toke, pasi festimet e vitit të kaluar u zvogëluan për shkak të frikës nga virusi.
Pavarësisht kësaj, qeveria vendosi të vazhdojë me paradën në “Champs-Elysees” gjithsesi, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t’u kthyer në aktivitetin para-pandemik.
Tema e paradës është “Fitimi i së Ardhmes”. Kjo temë i referohet, sipas gjeneralit Christophe Abad, guvernatorit ushtarak të Parisit, aftësisë kolektive të kombit për të kapërcyer vështirësitë e lidhura me krizën shëndetësore.
Numri i spektatorëve gjithsesi ishte i kufizuar dhe ata ishin të pranishëm në një pjesë të vogël të paradës.
Për më tepër, çdo person që merrte pjesë duhej të tregonte një leje të posaçme, që vërtetonte se ata ishin vaksinuar plotësisht, apo që ishin shëruar kohët e fundit nga virusi, ose kishin një test negativ.
Kufizime të ngjashme do të ketë edhe për ata që do të mblidhen për të parë një shfaqje fishekzjarrësh në kullën “Eiffel” në mbrëmje.
Por paradës së sotme nuk i kanë munguar as incidentet e vogla, si dhe momentet romantike. Një prej oficerëve të rinj të xhandarmerisë franceze, ka gjetur pikërisht momentin para fillimit të paradës për t’i propozuar për martesë duke u gjunjëzuar në “Champs-Elysees”, para të dashurës së tij, një fotoreportere që kishte ardhur aty për të shkrepur foto nga parada.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/