Në kryeqytet nuk mbarojnë asnjëherë punimet në infrastrukturë dhe vera është një stinë e “tmerrshme” për ata që duan të qarkullojnë me automjete private për punë.
Por në Tiranë së fundi jo vetëm rrugët e brendshme por edhe ato hyrëse-dalëse, siç janë Unaza e Madhe apo pikat dalëse për në autostrada, janë pjesërisht kantiere ndërtimi dhe për pasojë herë pas here ka edhe kaos në trafik.
Sot është bllokuar që në orët e para të ditës qarkullimi në superstradën Tiranë-Durrës. Radhët e trafikut kanë qenë kilometrike siç tregojnë dhe pamjet që kanë bërë xhiron në rrjetet sociale.
Ndërkohë që problem ka edhe tek mbikalmi i Kamzës. Nuk ka akoma një njoftim zyrtar nga ana e policisë për këtë situate kaotike, por duket se janë disa punime mirëmbajtjeje dhe rindërtimi i urës së Tapizës ato që kanë bllokuar qarkullimin në akset Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Fushë-Krujë.
/Priza.al/