Do të shtrenjtohet më tej çmimi i TPL-së?/ Rregullorja e re dikton si do të kryhet shitja dhe raportimi i policave të sigurimit nga kompanitë    

Çmimi i policiave të sigurimit të detyruar të automjeteve prej vitesh vijon të mbajë pozita oligopoli në tregun e sigurimeve, ku kompanitë private që të gjitha në një marrëveshje kanë arritur që të “bindin” edhe Autoritetin e Konkurrencës.

Ky i fundit duket qartë që ka dështuar në zgjidhjen e këtij problemi dhe në së bashku edhe me AMF-në që merret direkt me kontrollin e këtij tregu, duket se e kanë gjetur “gjuhën” me kompanitë e sigurimeve në kurriz të konsumatorit.

Shqipëria është i vetmi vend në Europë, ku policat e sigurimeve të automjeteve shiten në këtë mënyrë dhe janë kaq të shtrenjta, në një kohë që sistemi “bonus-malus” nuk ka funksionuar për asnjë moment.

Së fundi, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar dhe ka nxjerrë për konsultim publik projekt-rregulloren “Për regjistrin elektronik online të shitjeve të kontratave të sigurimit të detyrueshëm”, duke reflektuar ndryshimet e kërkuara bazuar në ligjin e ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i procedurave të funksionimit, identifikimit dhe raportimit të të dhënave të shitjes së kontratave të sigurimit të detyrueshëm në Regjistrin Elektronik Online të Shitjeve. Në projekt-rregullore përveç reflektimit të ndryshimeve ligjore, në anekset e saj janë specifikuar të gjitha procedurat e shitjes dhe raportimit të kontratave të sigurimit, me qëllim zbatimin korrekt të tyre.

Në zbatim të ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” është reflektuar në rregullore detyrimi i “shoqërive të sigurimit, agjentëve/shoqërive të agjentëve që të plotësojnë të gjitha rubrikat e policës së sigurimit, duke përfshirë numrin e telefonit dhe adresën e e-mailit të pronarëve apo përdoruesve të mjeteve të listuar në policën e sigurimit TPL”. Kjo pasi këto të dhëna do të përdoren për të njoftuar pronarët e mjeteve të transportit 15 ditë përpara mbarimit të policës ekzistuese të sigurimit.

Rregullorja saktëson se polica e sigurimit identifikohet nëpërmjet numrit unik të gjeneruar automatikisht nga Regjistri dhe printohet në hapësirën përkatëse të policës. Ky numër unik duhet të fillojë çdo vit me dy shifrat e fundit të vitit aktual. Polica e sigurimit të detyrueshëm mund të verifikohet në faqen zyrtare të Autoritetit.

Në pjesën e fundit, rregullorja përcakton rastet e shkeljeve dhe sanksionimet përkatëse. Kështu, rastet e evidentimit të policave të sigurimit të detyrueshëm të paidentifikuara, me numrin unik në Regjistër, rastet me numër identifikimi të dubluar, rastet me numër identifikimi jo korrekt, rastet e verifikimit të ndryshimeve të të dhënave të raportuara në krahasim me ato të printuara, rastet e cenimit të sigurisë së sistemit, përbëjnë shkelje të dispozitave ligjore në fushën e sigurimeve.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *