‘Kina e ka fajin!’/ OBSH kërkon hetim të dytë për origjinën e koronavirusit: Vendi komunist të jetë më bashkëpunues…  

Kina duket se nuk do ta kalojë aq kollaj çështjen nëse ka qenë ai shteti fillestar i nisjes dhe përhapjes së pandemisë së koronavirusit, apo vetëm një vend bartës.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i bëri thirrje Kinës që të jetë më bashkëpunuese në fazën e dytë të hetimeve të OBSH-së mbi origjinën e koronavirusit.

Tedros kërkoi më shumë qasje dhe transparencë. Faza e parë e hetimeve të OBSH-së ka përfunduar në shkurt.

Atëbotë është konstatuar se nuk ka shumë gjasa që koronavirusi të ketë dalë nga laboratori në Vuhan të Kinës – ku është zbuluar për herë të parë – dhe se ai mund ta ketë origjinën nga lakuriqët.

Disa vende, përfshirë SHBA-në, dhe shkencëtarë nuk kanë qenë të kënaqur dhe kanë kërkuar hetime të tjera.

Duke folur të enjten në Gjenevë, Tedros tha se OBSH-ja ka nevojë për qasje në të dhënat e papërpunuara të pacientëve, përpara dhe pas fillimit të pandemisë.

Kina nuk i ka ndarë këto të dhëna me ekipin e OBSH-së gjatë hetimeve të para, tha Tedros.

“Ne i kërkojmë Kinës që të jetë transparente dhe e hapur, si dhe të bashkëpunojë”,- tha ai, duke shtuar se “miliona njerëz që kanë vuajtur” duhet të dinë se çfarë ka ndodhur.

Drejtori i programit për emergjenca në OBSH, Mike Ryan, tha se Tedros do t’i njoftojë 194 vendet anëtare të OBSH-së të premten në lidhje me fazën e dytë të propozuar të hetimeve.

Koronavirusi në të gjithë botën ka prekur mbi 188 milionë njerëz. Prej tyre, mbi 4 milionë kanë vdekur.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *