Tre ditë më parë në portin e Durrësit policia ndaloi një kontejner i cili transportonte banane, pasi dyshoi për veprimtari kriminale. Në fakt pas kontrollit të imtësishëm efektivët gjetën rreth 11 kg lëndë narkotike të fshehur brenda ngarkesës. Kamioni me ‘Banana King’ vinte nga Ekuadori për porosi të kompanisë ‘Alba Exotic Fruit’, me pronarë Eduart Dautin dhe Barjon Gumeni. Emra këto të njohur më parë nga policia pasi në 2019 e njëjta kompani u kap me 137 kg drogë në Pire.
Ndërkaq, sot mësohet se menaxheri i kompanisë “Alba Exotic Fruit”, është lënë sot në burg. Bëhet me dije se gjykata e Durrësit ka caktuar masën ‘arrest me burg’ për Barjon Gumeni, banues në Tiranë. 34-vjeçari është aksioner me 10% në këtë kompani, e cila kishte porositur kontejnerin me banane nga Ekuadori.
Ndërkaq, Gumeni nuk ka pranuar akuzat, duke mohuar përfshirjen e tij në trafikun e drogës. Ne fjalën përpara gjykatës, Gumeni u shpreh se ai nuk ka punë me trafikun e kokainës dhe se kompania që ai menaxhon ka porositur vetëm bananet dhe jo lëndën narkotike. “Nuk kam gisht në këto punë, firma që unë menaxhoj ka porositur vetëm bananet”, ka deklaruar Gumeni.
Gumeni u paraqit për të tërhequr kontenierin me banane më datë 13 korrik në Portin e Durrësit, ditë dhe kur u arrestua për gjetjen e rreth 11 kg kokainë në kontenierin ku po transportohej ngarkesa me banane. Ndërkohë, administratori i kësaj kompanie, Eduart Dauti është shpallur në kërkim.
Itinerari kamionit:
Kontejneri është nisur nga Ekuadori në datë 26 maj dhe në total ka ndaluar në 5 porte. Ndalesa e parë pas nisjes është në Guayaquil të Ekuadorit në orën 02:47 të 27 majit.Aty ka qëndruar për 2 ditë dhe më pas mëngjesin e 29 majit është nisur drejt Marokut të Afrikës së Veriut. Edhe në këtë ndalesë, kontejneri ka qëndruar për një kohë relativisht të gjatë, nga data 16-24 qershor.Nga Maroku, kontejneri ka udhëtuar drejt portit të Greqisë për të mbërritur më pas në Portin e Durrësit, ku dhe pas kontrollit të detajuar u gjet 12 kg kokainë.
/Priza.al/