Pas një hetimi të zhvilluar nga SPAK, Gjykata e Posaçme vendosur para dy ditësh masën “arrest shtëpie” për ish-zëvendës ministren e Brendshme, Rovena Voda, e cila ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga shtetaset Majlinda Hasani dhe Florida Beu. Por një tjetër version është zbuluar dje nga pala mbrojtëse.
Avokati i ish-zv/ministres tha se në zarfin që prokuroria pretendon se ndodheshin 1 mijë euro që Voda dyshohet se mori ryshfet, ndodhej diploma e Florida Beut. Avokati tha se arka me peshk është paguar nga klientja e tij.
Por, në rrëfimin e mbrojtjes mungon alibia për telefonin. Në përgjimet e SPAK, thuhet se nga kamerat është provuar se u ble një telefon dhe në lokal, Majlinda Hasani e nxorri dhe ia tregoi Vodës, që e mori dhe e futi në çantë bashkë me kutinë.
“Avokati i ka mëshuar faktit se pse prokuroria në momentin që ka pasur informacionin se Voda ka qenë e filmuar dhe e dokumentuar kur i është dhënë zarfi nga avokatja Majlinda dhe Florida Beu e cila ishte e interesuar për të filluar punë, avokati ka kërkuar nga SPAK t’i argumentohej fakti se përse nuk është ndërhyrë në atë moment dhe të kapej zarfi e të vërtetohej se zonja Voda kishte marrë shumën prej 1 mijë eurosh siç pretendon prokuroria.
Avokati ka theksuar se në atë zarf ka qenë një diplomë dhe një dëshmi e gjuhës së huaj të Florida Beut, e cila ka kërkuar që të punësohej në Ministrinë e Brendshme dhe zonja Voda, në asnjë moment sipas avokatit nuk ka marrë asnjë shumë parash.
Sa i përket arkës me peshk të cilën pretendohet që ia ka dhënë Florida Beu si dhuratë ish zv/Ministres Voda, avokati ka treguar fakte dhe prova që sipas tij, Voda ka paguar një shumë prej 30 mijë lekësh për peshkun që e ka blerë në lokalin e Beut. Vetë të pandehurat nuk kanë pranuar që të flasin, por kanë qenë dakord me mbrojtjen e tyre”.-është shprehur avokati në sallën e GJKKO.
Ditën e djeshme, GJKKO la në arrest shtëpie ish-zv/ministren Voda dhe dy avokatet e përfshira në këtë çështje, Florida Beu dhe Majlinda Hasani. Nga dosja e plotë të përgjimeve të SPAK, organi i akuzës pretendon se zyrtarja mori 1 zarf ku ndodheshin 1 mijë euro, dhe se shkoi në Durrës për të marrë një arkë me peshk dhe një telefon të llojit Samsung që e kishte zgjedhur vetë.
/Priza.al/