Pasditen e djeshme, qytetit i Lecce-s u trondit nga vrasja e ish-bankierit Giovanni Caramuscio, 69 vjeç nga dora e dy vëllezërve shqiptarë. Ditën e sotme policia italiane njofton se njëri prej vrasësve, Paulin Meçaj, 31-vjeç është arrestuar, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.
69-vjeçari ishte duke bërë një tërheqje nga një ATM kur shqiptarët iu afruan dhe Meçaj e qëlloi me armë duke i marrë jetën, më pas mori shumën që tërhoqi ish-bankieri duke u larguar me vrap.
Kamerat fiksuan momentin e vrasjes, por edhe çastin kur shqiptari hodhi rrobat në një pus për të zhdukur gjurmët. Arratia e tij zgjati vetëm pak orë duke u prangosur, ndërsa vëllai tjetër është në kërkim.
Në momentin e vrasjes, ish-bankieri ishte në shoqërinë e gruas së tij, teksa po ktheheshin nga një darkë me miqtë e tyre. Anna Quarta, gruaja e Giovanni Caramuscio rrëfeu për mediat italiane momentet e tmerrit, si ia vranë burrin përpara syve të saj.
«Unë pashë Giovannin duke u shembur për tokë, vrapova drejt tij, u përpoqa ta ndihmoja të ngrihej. Por ai kishte vdekur. Nuk e besova. Dhe akoma nuk e besoj tani », tha Anna Quarta, gruaja e Giovanni Caramuscio, viktimë e vrasjejes absurde. C
Caramuscio, 69 vjeç, në pension, ish-drejtori i degës lokale të Banco di Napoli, u vra me dy të shtëna me armë të Premten në mbrëmje, pak pas orës 11 pasdite, para një ATM ndërsa ai po kthehej në shtëpi me gruan e tij, pas një darke festive me miq dhe të afërm.
Biseda e fundit me të shoqin
Në dalje të Lequile ka dy banka, Bcc di Leverano dhe Banco di Napoli dhe Giovanni i tha Anës: “Le të ndalemi këtu për një moment, unë do të tërheq ca para”. “Ikim nesër, hajde”, u përgjigj Anna. Por Giovanni këmbënguli dhe madje e bëri pak shaka me Anën, pasi të dy dolën nga makina: “Shiko, nëse ti do të dije të përdorje bankomatin, nuk do të isha i detyruar ta bëja gjithmonë unë. Shiko, është e thjeshtë, duhet të shtypësh këta numrat, kodin sekret … Dhe nëse nesër nuk jam më këtu, çfarë do të bënit, eh? Anna u përgjigj: “Mirë, një herë tjetër”, dhe ndërkohë priti pranë makinës që burri i saj të merrte para.
Sulmi
Siç mund të shihet edhe nga imazhet e kamerave të vëzhgimit në atë zonë, sulmi ndaj Giovanni, ndodhi, nga dy burra, njëri prej të cilëve me të njëjtën madhësi fizike si ish-menaxheri i bankës. Të dy me fytyrat e mbuluara nga maska të zakonshme anti Covid. Giovanni Caramuscio reagoi instinktivisht dhe shtyu njërin nga dy banditët që ishin përpjekur ta imobilizonin, duke e mbajtur për qafë, por reagimi ishte fatal. Njëri nga dy sulmuesit ishte i armatosur, ai kishte një pistoletë dhe lëshoi pesë plumba drejt tij, tre dolën ndërsa dy e goditën në gjoks. Një fund i papritur dhe dramatik pas një mbrëmje të këndshme me gruan e tij. Dhe kështu ato fraza shaka nga disa minuta më parë kthehen në britmën e dëshpëruar të Anës.
Arratisja
Të dy banditët ikin, dikush telefonon në 112, mbërrin karabinierët, një ambulancë, pastaj edhe kryetarja e bashkisë së Monteronit, Mariolina Pizzuto, e cila është gjithashtu kushërira e Anës dhe me delikatesë u përpoq ta inkurajonte atë të gjithë ditën e shtunë.
Njëri u arrestua, në kërkim bashkëpuntori
Hetimet e para ishin shumë të shpejta dhe çuan në zbulimin e armës së vrasjes: ajo ishte fshehur në një vazo në shtëpinë e vrasësit të dyshuar, i cili jeton në një banesë jo shumë larg dy bankave. Numri serik i pistoletës ishte fshirë, por hetuesit, përmes të dhënave të tjera, dëshmive të disa klientëve të një lokali, imazhet e kamerave të mbikëqyrjes dhe historia e Anës kanë bashkuar mjaft elementë për të ndaluar një shqiptar, Mecaj Paulin, i cili tani akuzohet për vrasje të rëndë nga grabitja, marrja e mallrave të vjedhura dhe mbajtja pa leje e një arme zjarri.
/Burimi: Corriere.it/ përshtati në shqip Priza.al/