Kryeministri Rama ka reaguar pas protestës së pronarëve të lokaleve në Lungomare, Vlorë të cilët kërkojnë shtyrjen e orës policore.
Rama shprehet se në Lungomare nuk ka muzikë por ndotje akustike të tmerrshme, duke shtuar se e drejta e atyre që duan zhurmë muzikore nuk mund të fitojë mbi pjesën tjetër që duan zhurmën e detit.
REAGIMI I PLOTE I RAMES:
Protestë në Lungomare për muzikën? 1.Lungomare s’ka muzikë po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetra linja burime menjëherë.
2.E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi tē drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit.
3. Siç është lajmëruar, nga data 20 korrik muzika do të ndalet në 23.00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri – si në tërë botën e civilizuar turistike.
Kujtojmë që 90 biznese në zonën e Lungomares në Vlorë sot janë mbyllur në shenjë proteste, pasi kërkojnë zgjatjen e orës policore. Një ditë më parë ata në orën 22:00, kur është edhe orari që ndalohet muzika kanë vendosur Himnin Kombëtar.