Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është shprehur pas takimit me Albin Kurtin se ai kishte menduar se s’do të kishte takim më të keq se ai i kaluari, por që i sotmi ishte akoma më ‘rëndë’.
“Mendova se ishte e pamundur të kisha një takim më të keq dhe sot u binda se ishte e mundur. Ne morëm propozime nga BE-ja që ishin harmonizuar me negociatorët tanë kryesorë. Serbia gjithashtu ra dakord plotësisht me atë që e propozoi BE-ja. Aty ishin tre pika. Të intensifikohen përpjekjet e përbashkëta në identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga situatat e mëtejshme që mund t’i rrisin tensionet në terren dhe që negociatorët të takohen rregullisht”, tha presidenti serb.
Takimi mes dy palëve është shoqëruar me tensione dhe Vuçiç e ka kritikuar Kurtin duke i thënë se është kthyer në shekullin XIX, duke përmendur vetëm ngjarje nga e kaluara. Kjo si pasojë e tre gjenocideve që i ka përmendur Kurti. Edhe thirrja e Borrell në fillim të dialogut ishte që të dyja palët të shohin nga e ardhmja e të lenë pas të shkuarën.
Nga ana tjetër Kurti ka thënë se Vuçiç nuk ishte i gatshëm për asnjë kompromis dhe e ka refuzuar kërkesën e dialogut pa e parë ende.
/Priza.al/