Fluks i madh pasagjerësh/ Ndryshojnë procedurat e udhëtimit në aeroportin e Rinasit, TIA jep detajet

Me fillimin e sezonit turistik dhe pas mbylljes së gjatë për shkak të pandemisë pjesa më e madhe e shqiptarëve që ndodhen në Europë kanë zgjedhur vendin tonë për të pushuar. Por fluksi i madh i personave që udhëtojnë drejt Shqipërisë ka bërë që të vështirësohet lëvizja tek sportelet. Përmes një njoftimi, TIA njofton të gjithë pasagjerët që duan të udhëtojnë jashtë vendit. Në njoftimin e shpërndarë shkruhet se për shkak të fluksit, pasagjerët duhet të shkojnë në ambientet e aeroportit 3 orë para udhëtimit.

Njoftim nga TIA

Në vëmendje të të gjithë pasagjerëve që udhëtojnë nga Tirana International Airport. Duke marrë shkas nga rritja e fluksit të pasagjerëve që udhëtojnë nga TIA në këto ditë të sezonit veror, si dhe ardhjen e shumë bashkatdhetarëve nga jashtë, kontrollin e dokumentacionit për vendet që kanë vënë kufizime për pasaportat shqiptare – sidomos Italia – si dhe paraqitjen e testit PCR apo antigen në sportelet e TIA-s të pranimit të biletave – sipas kritereve të vendeve ku udhëtoni – sugjerojmë që paraqitja në aeroport të jetë 3 orë përpara udhëtimit. Kjo kohë do të jetë e mjaftueshme që të organizoheni përpara fluturimit tuaj, qoftë për parkimin e automjetit tuaj, qoftë për kontrollin e dokumentacionit që kërkohet për vendet respektive ku udhëtoni. Ju rikujtojmë se jemi në dispozion të çdo pasagjeri për t’i shërbyer sa më mirë, e në të njëjtën kohë, mbetemi besnikë të durimit dhe bashkëpunimit, sepse kohërat janë të pazakonta dhe na duhen të gjithëve fuqi të pazakonta.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *