Këngëtarja Fjolla Morina u arrestua dje në lagjen “Emshir” të Prishtinës nga njësia policore FAST-Kosova në bashkëpunim me zyrtaret policorë të stacionit policor “Jugu” në Prishtinë.
Ajo ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë për trafikim të armëve dhe municionit. Lidhur me këtë çështje, ka folur avokati i saj, Fanol Krasniqi i cili ka treguar se Fjollës i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa të mërkurën do të dalë para gjykatës
“Fjolla gjendet në masën e ndalimit sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Masë kjo me afat prej 48 orësh. Të mërkurën më datë 21.07.2021 e kemi seancën dëgjimore lidhur me praninë e të pandehurit gjatë procedurës së ekstradimit. Dmth të mërkurën seancë dëgjimore se a mundet Fjolla Morina të arratistet nga procedura e ekstradimit apo jo”, tha avokati.
Krasniqi njoftoi se prokuroria ka kërkuar ekstradimin e saj në Shqipëri por, sipas tij ata nuk kanë marrë asnjë dokumentacion në lidhje me këtë kërkesë.
“Fjolla Morina akuzohet për veprën penale “Trafikim me armë”, por ne nuk kemi kurrëfarë dokumentacioni apo urdhërese lidhur me këtë ndalim, kërkesat besoj do i marrim të mërkurën gjatë seancës dëgjimore. Vlen të theksojmë se kundër Fjolla Morinës nuk është vendimi i formës së prerë, Gjykata e Kuksit Fjolla Morinës i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vite. Kundër atij vendimi avokati i Fjolla Morinës ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Shkodrës edhe ky vendim prej 6 vitesh nuk është vendim i ekzekutueshëm.
Ne nuk kemi informacion se mbi cilin vendim apo mbi cilën urdhëresë kërkohet ekstradimi i Fjolla Morinës ku ndaj saj nuk ekziston një vendim i formës së prerë”, shtoi ai.
Më tej, Krasniqi thotë se Fjolla u arrestua në mënyrë çnjerëzore dhe se nuk është thirrur paraprakisht që të paraqitet në polici.
“Fjolla Morina është arrestu në mënyrën më çnjerëzore të mundshme, pasi që te njejtes i dihet adresa e banimit, madje e nejjta ka edhe nenshtetesi. Fjolla Morina nuk është thirrë paraprakisht që të intervistohet apo ti tregohet arsyeja e arrestimit. Ajo është arrestu para të gjithë lagjes. Ajo nuk pranoi asnjë urdheresë. Vetëm verbal “Kemi urdhëresë prej shtetit të Shqipërisë se është kërku ekstradimi për veprën të cilën je shpall fajtor”, deklaroi avokati.
Fjolla Morina akuzohet për trafikim armësh, por sipas avokatit Fanol Krasniqi, trafikimi me armë nënkupton gjetjen apo shitjen e shumë armëve, e jo vetëm një, sikurse është rasti i Fjollës.
“Sipas Fjollës, ajo akuzohet për trafikim me armë. Trafikim me armë ligji jonë nuk e njeh kur ndaj një kryesi konfiskohet vetëm një armë. Trafikim me armë nënkupton shitjen, saktësisht në cilat shtete Fjolla ka shit armë? Dmth trafikim me armë nënkupton shumë armë e jo vetëm me një armë të akuzohet e të dënohet.
Në ligjet tona në Kosovë, për armëmbajtje pa leje dënimi është me gjobë ose deri 5 vite. Është diferencë shumë e madhe mes Kosovës dhe Shqipërisë”, përfundoi avokat Krasniqi.