Dosja e Saimir Tahirit u hodh gabimisht në short! Kush do të jetë trupi gjykues që do ta gjykoi në Gjykatën e Lartë?

Dosja në ngarkim të ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri do të vazhdojë procesin gjyqësor me kryesues të trupit gjykues Ilir Pandën dhe dy anëtarët Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe.

Kjo dosje është hedhur gabimisht në short së bashku me 42 çështje të tjera, pasi në bazë të ndryshimeve të reja ligjore, e njëjta trupë gjykuese që ka vendosur në dhomë këshillimi kalimin e dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë, duhet të vazhdojë edhe procesin gjyqësorë.

Shorti i hedhur gabimisht kishte përcaktuar Sandër Simonin si kryesues të seancës. Pas ndryshimeve ligjore që u futën në fuqi më 1 Qershor, shorti i dosjes së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çlela është anuluar për të gjitha dosjet që ishin në gjykim.

Ndërkohë në Gjykatën e Lartë ende nuk ka asnjë datë se kur do të nisë procesi gjyqësor për Tahirin dhe Jaled Çelën. Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në shkallën e parë. Më pas ish ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e ka pranuar për ta gjykuar. Nuk dihet ende se çfarë vendimi do të marrë Gjykata e Lartë, që  mund të lërë në fuqi vendimin e Apelit, mund ta rikthej çështjen sërish për rigjykim në Apel, ose mund ta gjykojë vetë.

Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.

Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës, në analizë të të gjitha provave të paraqitura nga Prokuroria, nuk rezultonte asnjë fakt, që ta përfshijë ish-ministrin në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin me grupin kriminal të Habilajve, kryetari i të cilëve është Mojsi Habilaj, i arrestuar dhe në gjykim në Itali. Po ashtu, thotë gjykata në arsyetimin e saj, pas përgjimeve edhe të prokurorisë italiane ku Habiljat diskutojnë për dhurata që do ja japin ministrit, çmohet fakti se nuk ka prova të mjaftueshme për t’i lidhur këto dhurata apo shuma monetare se do të shkonin tek Tahiri. Në bazë të këtyre fakteve gjykata vendosi dënimin me 3 vite shërbim prove.

Njoftimi i gjykatës së lartë më 10 qershor

Pas emërimit të 4 gjyqtarëve të rinj në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, bazuar në urdhrin e Kancelarit të kësaj Gjykate, të gjitha çështjet penale ende të pashqyrtuara (mbi 5200 çështje ), që kanë patur si relator gjyqtarin e Kolegjit Penal të emëruar në mars të vitit 2020, janë rishortuar me qëllim shpërndarjen e tyre, në mënyrë të barabartë ndërmjet të gjithë gjyqtarëve të këtij Kolegji.

Për shkak të veçorive të natyrës teknike që paraqet përdorimi i sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve, në procesin e rishortimit rezulton të jenë përfshirë gabimisht 43 çështje penale, për të cilat trupi gjykuesi mëparshëm, në dhomë këshillimi, ka vendosur kalimin në seancë gjyqësore ose mospranimin e rekursit, vendime të cilat nuk ishin pasqyruar ende në sistem. Me qëllim garantimin e parimit të gjykatës së caktuar me ligj, për të gjitha palët pjesëmarrëse në gjykim në Gjykatën e Lartë dhe në respekt të qëndrimit të mbajtur nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve, si edhe praktika e kësaj gjykate, për të vijuar shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore nga i njëjti trup gjykues që e ka shqyrtuar paraprakisht në dhomë këshillimi, është urdhëruar nga Kancelari i Gjykatës së Lartë anulimi pjesërisht i shortit për çështjet penale të sipërcituara. Gjithashtu, janë pasqyruar menjëherë në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve vendimet që janë marrë në dhomë këshillimi për çështjet penale, si edhe relatori i çështjes konkrete.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *