Policia Rrugore vijon me kontrollet në rrugët e vendit. Gjatë një aksioni të fundit, janë bllokuar në hyrje të Vlorës dy kosovarë, të cilët kanë qenë duke ecur me shpejtësi të frikshme 225 km/h dhe nuk i kanë ndaluar radarit në Fier.
Më pas ata u bllokuan në hyrje të Vlorës ku janë gjobitur me nga 168 mijë lekë dhe 120 mijë lekë të reja.
Njoftimi i policisë:
Kujdes! Mos fluturoni të arrini aksidentin, e në rastin më të mirë Radarin e Policin Rrugor. Me shpejtësi të frikshme 225 km/h drejt Vlorës, dy kosovarët nuk ndalojnë radarit në Fier por bllokohen nga Policia në hyrje të Vlorës.
225 km/h, pavarësisht makinave luksoze, kjo është papërgjegjshmëri ndaj jetës, shpejtësi të tilla janë vrastare, rrezikojnë seriozisht jetën tuaj e të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Në Bypass-in e Fierit, në aksin Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Pojan”, janë konstatuar nga radari automjetet me targa zviceriane tip “Lamborghini” dhe “BMË” duke bërë gara me shpejtësi 225 km/h.
Automjeteve u është bërë shënjë nga punonjësit e Policisë për të ndaluar por drejtuesit e tyre kanë vijuar me shpejtësi drejt Vlorës. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e Policisë Rrugore të Vlorës si dhe forcat e posaçme “Shqiponja” dhe në hyrje të qytetit të Vlorës janë ndaluar të dy automjetet.
Të dy drejtuesit e automjeteve janë ndëshkuar me masë administrative, konkretisht: drejtuesi i mjetit tip “Lamborghini”, shtetasi I. B., 40 vjeç, banues në Zvicër, është ndëshkuar me masë administrative 168.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie”, “Qarkullon pa targë”, “Nuk ndalon pas dhënies së shenjës së ndalimit me tabelë” dhe drejtuesi i mjetit tip “BMË” shtetasi M. N., 36 vjeç, banues në Kosovë, është ndëshkuar me masë administrative 120.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie”.