Ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe ka kërkuar lirinë, me pretendimin se ka probleme me shëndetin.
Tushe kërkon që lirimin ta kryejë dhe përmes garancisë pasurore nëse është e mundur. Alergjik ndaj ushqimeve të burgut, intolerant dhe probleme kardiake, janë disa nga problemet që tha ish-kreu i Bashkisë përballë gjykatës.
“Nuk jam i rrezikshëm, dhe jam i gatshëm që të ofroj garanci pasurore për lirimin tim. Kam probleme kardiake, gur në tëmth dhe vuaj nga mushkëritë. Kërkoj lirinë pasi jam intolerant dhe alergjik edhe ndaj ushqimeve”, mësohet të ketë thënë Tushe përpara gjykatës.
Tushe u arrestua nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, ndërkohë që kërkesë për një masë më të butë kanë bërë dhe vartësit e tij në Bashkinë e Lushnjes.
Ish-kryebashkiaku, u shkarkua të nesërmen e arrestimit, me firmë të kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se Tushe duhet të përballet me drejtësinë pa mbështetjen e PS-së. Tushe dhe vartësit u vunë nën hetim për një tender të kanalit kullues, me vlerë 24 milionë lekë të reja.
/Priza.al/