Pasi u arrestua për trafik armësh, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 40 ditësh për këngëtaren Fjolla Morina. Masa e paraburgimit do llogaritet prej momentit kur Morina është arrestuar me 17 korrik 2021.
Vendimi u mor sot nga gjyqtari Agim Kuçi, në prezencën e prokurores Javorka Prilincevic, të pandehurës Fjolla Morina me mbrojtësit e saj, avokat Fehmije Gashi-Bytyqi dhe avokat Fanol Krasniqi si mbrojtës kryesor.
Fjolla është e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve në Shqipëri. Morina ishte shpallur në kërkim më 21 prill 2021, një muaj pasi gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burgim për “trafik të armëve dhe municionit”.