Sipas një studimi të ri, vaksina “Johnson & Johnson” me një dozë kundër COVID-19, mund të jetë më pak e efektshme kundër varianteve të reja të koronavirusit.
Studiuesit në Fakultetin e Mjekësisë “Grossman” të Universitetit të Nju Jorkut, arritën në këtë përfundim, pasi kryen testimin laboratorik të mostrave të gjakut nga vullnetarët.
Nathaniel Landau, studiuesi kryesor, tha se vaksina “Johnson & Johnson” nuk siguron të njëjtën mbrojtje ndaj varianteve të COVID-19 si, vaksinat me dy doza “Pfizer” ose “Moderna”, të cilat përdorin teknologjinë RNA.
Studimi, i postuar në internet të martën, nuk është analizuar nga shkencëtarë, nuk është botuar në ndonjë revistë shkencore dhe nuk pasqyron efektet e vaksinës në realitet.
Por përfundimet janë të ngjashme me studimet e tjera që tregojnë se vaksinat me një dozë si “Johnson & Johnson” nuk prodhojnë mjaftueshëm antitrupa për të luftuar variantet “Delta” dhe “Lambda”.
Varianti “Delta”, i cili u zbulua për herë të parë në Indi, thuhet se përhapet më lehtësisht sesa variantet e tjera. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, thanë se, “Delta” tani përbën 83% të rasteve të reja në vend.
“Johnson & Johnson” kohët e fundit publikoi një studim që tregon se, një dozë e vetme e vaksinës së saj është efektive kundër variantit “Delta”, për deri në tetë muaj.
Por studiuesi Landau thotë se, rezultatet e studimit të Universitetit të Nju Jorkut mbështesin teorinë që tregon se, një dozë e dytë e vaksinës “Johnson & Johnson” është e nevojshme.
/Burimi: VOA/