Bregdeti shqiptar dhe Riviera Joniane, janë një “magnet” sidomos në stinën e verës për shumë turistë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, që zgjedhin të pushojnë në Shqipëri.
Por po ashtu, një joshje më vete për djemtë e “lazdruar” kosovar që jetojnë dhe punojnë në vendet e Europës, janë edhe autostradat e reja që janë rregulluar së fundi në vend, e sidomos ajo që të çon nga Fieri në Vlorë.
Aty me makinat e tyre luksoze të rinjtë ja shkelin për të provuar se sa mund të nxjerrë makina e tyre, në një kohë që nuk kanë munguar as aksidentet fatale dhe tragjike.
Policia e Shtetit publikoi një ditë më parë pamjet, ku dy automjete luksoze, “Lamborghini” dhe një “BMW”, lëviznin në autostradë në drejtim të Vlorës, me shpejtësi skëterrë.
Fillimisht drejtuesit nuk i ndaluan policisë, ndërsa u kapën pak më vonë në një postbllok tjetër.
Ndërkohë, media zvicerane “Blick” ka zbuluar të tjera detaje. Makina “Lamborghini” ishte marrë me qira nga 40-vjeçari kosovar, në një kompani për dhënien me qira të makinave luksoze në Schuebelbach të Zvicrës.
Ndërkohë, mjeti tjetër “BMW” drejtohej nga një 37-vjeçari, gjithashtu nga Kosova. Makina e tij i përket një kompanie pastrimi në kantonin Schwyz. Kujtojmë se drejtuesi i mjetit “Lamborghini” u gjobit me 168 mijë lekë, kurse ai “BMW” me 120 mijë lekë.
Për këtë ngjarje ka reaguar sot edhe këngëtari i njohur Genc Prelvukaj, pasi dy qytetarë nga Kosova u gjobitën në Shqipëri, sepse po lëviznin me makina luksoze me 230 km në orë.
Prelvukaj në një status në Facebook shprehet se, dy personat që u raportua se makinat i kishin marrë me qira në Zvicër, duhet të dërgohen për kontroll mjekësore, ku të shikohet nëse janë normalë.
“Këta duhet fillimisht të dërgohen në kontroll mjekësore pastaj nëse rezultojnë normal të hapet proces gjyqësor dhe të zbatohen dënimet maksimale. Dy mije e treqind janë shumë pak. I japin makinës (të cilat i paskan marrë me rent) 230km në orë, në rrugë të kufizuara në 80 km. Shpërfillin policinë e Shqipërisë duke ikur dhe mos ndaluar. Rrezikojnë për vdekje njerëz tjerë”,- thotë ai.
“Ironia është që shoferët ishin shqiptarë të Kosovës, rreth të dyzetave, me banim të përhershëm në Zvicër, të cilët i nënshtrohen me perpikmeri rregullave atje. Rruga e tyre për të ardhur bie nga Serbia ose Mali i Zi. Të provojnë t’i japin makinës atje në këtë mënyrë dhe të ikin nga kontrolli i policisë! Turp i madh. Nderojnë rregullat e shteteve të huaja, ndër ta edhe të shteteve me armiqësi ndaj nesh dhe poshtërojnë uniformën e Shqipërisë dhe Kosovës, shtete prej nga janë me origjinë. Plus rrezikojnë fëmijët, gratë e burrat e gjakut të tyre”,- thotë Prelvukaj.
/Priza.al/