Qytetarët në plazhin e Zvërnecit janë terrorizuar nga të shtënat me armë. Banorët kanë dëgjuar tre të shtëna me armë të cilat kanë ardhur nga një person që ishte në motorr. Lucio Rroko, është autori i cili qëlloi tre herë në ajër. Ai tentoi që ta frikësonte familjen me të cilën kishte konflikt mirëpo terrorizoi të gjithë pushuesit në plazh. Ai është larguar me shpejtësi me mjetin e tij. Policia ndodhet në ndjekje të tij.
Njoftimi i plotë i policisë:
Vlorë; Qëlloi me armë zjarri në ajër pas një konflikti të çastit, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.
Më datë 22.07.2021, në Zvërnec, Vlorë, shtetasi L. RR., rreth 42 vjeç, dyshohet se pas një konflikti të çastit, ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas është larguar me shpejtësi.
Pas marrjes së informacionit menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë ku falë veprimeve të shpejta bënë identifikimin e autorit të dyshuar.
Shërbimet e Policisë po krehin zonën për kapjen e 42 vjeçarit si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/Priza.al/