VIDEO/ I mori përsipër t’u tregonte Karaburunin, skafisti vlonjat për pak sa nuk e ktheu udhëtimin me 7 turistë në një tragjedi…

Jo çdo individ që mëson të drejtojë një barkë me motor, një gomone a skaf, mund të jetë një detar i mirë dhe për më tepër jo çdo vlonjat mund të bëhet një “skafist i zoti”.

Një i ri nga Vlora me skafin e tij ka menduar që të bëhet “guidë turistike” dhe ta kthente mjetin e tij lundrues në fitimprurës, duke shëtitur turistët në brigjet e Karaburunit dhe Sazanit, udhëtime për të cilat turistët në Vlorë paguajnë fatura të kripura më shumë se deti.

Por që të lundrosh në këto brigje duhet pa tjetër të jesh një detar i zoti dhe një marinar me përvojë, pasi nuk mjafton vetëm të mbash timonin e skafit dhe ti japësh gaz, kur e ke mbushur mjetin me turistë që nuk kuptojnë gjë dhe xhepin me para…

Kapiteni i skafit, një detar pa përvojë sot ka rrezikuar veten dhe shtatë turistë, që i besuan atij jetën për të guxuar të shikonin bukuritë e Jonit dhe Karaburunit.

Skafi i tyre pësoi defekt në det në brigjet e Karaburunit dhe më pas korrenti detar e shtyu për nga shkëmbinjtë e thiktë ku dhe rrezikoi seriozisht jetën e personave në bord.

Por e vetmja gjë e mirë e skafistit ka qenë reagimi në kohë për të dhënë sinjalin “SOS” dhe për të kërkuar ndihmë në numrin e emergjencave 112, pasi në shumë raste skafistët e evitojnë një gjë të tillë duke e zgjidhur problemin me “shoqëri”.

Por me detin dhe sidomos me valët e Jonit nuk bëhet shaka, ndaj skafisti njoftoi menjëherë për defektin në motor dhe Policia Kufitare i gjeti pas disa kohësh në vendin e quajtur shpella e “Haxhi Aliut”.

Personat në bord u shpëtuan dhe u transportuan në “Shën Jan”, teksa skafi u dërgua në Triport.

Screenshot 3

NJOFTIMI NGA POLICIA

“Vlorë

Policia Kufitare u vjen në ndihmë 8 shtetasve, të cilët rrezikuan jetën në det, me një mjet lundrues ??.

Turistët kishin dalë për lundrim në Karaburun me një mjet tip skaf, por skafi ka pësuar defekt në motor, duke rrezikuar jetën e tyre.

Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Triport, kanë shkuar në kohë në drejtim të adresës së dhënë dhe pas kërkimeve në det, në vendin e quajtur “Shpella e Haxhi Aliut”, Karaburun, kanë gjetur mjetin lundrues tip skaf, së bashku me 7 turistët dhe kapitenin, të cilët ndodheshin në bordin e mjetit lundrues.

Personat janë transportuar në “Shën Jan”, Karaburun dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë mjeti i tyre lundrues është transportuar nga Policia në Triport.

Policia e Vlorës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve duke krijuar një ambient sa më të sigurt dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.

#FaleminderitPoliciaeShtetit?

#Bashkëmëtësigurt ?”

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *